Nga Hermes Kafexhiu

Në politikë, fitoret ndonjëherë nuk merren në kutitë e votimit, por në zyrat ku numërohen letrat. Sidomos kur numëruesit janë “tanët”. Akoma më mirë, kur ata janë në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, të armatosur jo me vota, por me nenin 138 pika 3 të Kodit Zgjedhor.

Kështu ndodhi edhe këtë herë. Në emër të “transparencës”, “verifikimit” dhe “ligjit”, dy anëtarë të KAS-it, Ledio Braho dhe Elvis Çefa, që nuk është se mbajnë ndonjë distancë etike nga partia që i propozoi, kërkuan dhe morën hapjen e 1282 kutive në Tiranë.
Jo sepse pati ndonjë dramë të madhe, por sepse e thotë neni. Kur ligji të jep një portë, pse të mos e shkelësh si të ishte tapet i kuq?

E gjithë historia është e mbështjellë me letër burokratike, por kutia që po hapet është krejtësisht politike. Objektivi është i qartë, mandati i 14-të, që PD shpreson t’ia rrëmbejë “Mundësisë”dhe në mënyrë jo dhe aq të rastësishme, t’ia marrë pikërisht Agron Shehajt.
Sepse kur nuk i kontrollon dot të jashtmit, më mirë të pastrosh radhët brenda.

Ka një lloj elegance të trishtë në këtë manovër, nuk po bëhet me protesta, nuk ka deklarata të nxehta, as tension me KQZ-në. Kjo është një tentativë për grabitje me doreza të bardha, e mbështetur me fjalë si “procedurë” dhe “kujdes”. Ashtu siç ndodh rëndom në sistemin shqiptar, formalisht çdo gjë është në rregull, përveç faktit që e gjithë kjo s’ka lidhje me drejtësinë.

Braho dhe Çefa nuk kanë nevojë të bindin askënd. Ata kanë të drejtën e “vetos në shumës”, një nga ato shpikjet ligjore që tingëllon si garanci, por në duart e gabuara është më shumë një levë që hap kutinë e Pandorës. Dhe aty brenda janë të gjitha, dëshira për kontroll, frika nga humbja, nevoja për hakmarrje, dhe një etje e vjetër për mandate.

A është kjo një përpjekje e hapur për të ndryshuar rezultatin? Me gjasë, jo. Është më e sofistikuar se aq. Është një manovër për të krijuar mjegull, për të mbajtur pezull një mandat, për të tensionuar garën brenda opozitës, dhe për t’i dërguar një mesazh të heshtur kujtdo që mendon se mund të flasë jashtë rreshtit. Pra e gjithë e një alibi.
Shehaj është thjesht “aksidenti” që u bë pengesë.

Një kandidat me profil ndryshe pjesë e “kasetës” që luan në loop çdo zgjedhje brenda PD-së. T’i marrësh mandatin një personi të tillë, nuk është vetëm matematikë politike, është pedagogji partie, nëse nuk je me ne, të numërojmë derisa të zhdukesh.

Dhe ndërsa kutitë do të hapen sërish, të gjithë janë në pritje. Socialistët për të parë nëse do përfitojnë ndonjë kthesë në garat e ngushta mes tyre. PD-ja për të rikuperuar një mandat të humbur me çdo kusht.

Kështu që ndoshta nuk është çudi që edhe këtë herë, fati i një kandidati dhe ndoshta i një modeli tjetër në opozitë të përcaktohet jo nga qytetarët, por nga dy njerëz që askush nuk i votoi kurrë, por që sot kanë në dorë kutitë, dhe nesër, ndoshta listat./Lexo.al