Më shumë se pesë vjet pasi Covid-19 goditi gjithë botën, një variant i ri i virusit po qarkullon.

Varianti Nimbus, i njohur edhe si NB.1.8.1, është identifikuar në 22 vende deri më tani dhe është lidhur me rritje të rasteve të Covid në SHBA, Indi, Hong Kong, Singapor dhe Tajlandë.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) ka konfirmuar se varianti Nimbus është zbuluar edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Varianti u regjistrua për herë të parë më 21 janar dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se lloji i ri NB.1.8.1 ishte “nën monitorim”. Deri në fund të prillit 2025, ai përbënte afërsisht 10.7 përqind të të gjitha infeksioneve globale.

Dr. Gayatri Amirthalingam, Zëvendësdrejtoreshë e UKHSA-së, tha: “NB.1.8.1 është zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, bazuar në informacionin e disponueshëm deri më tani, nuk ka prova që sugjerojnë se ky variant shkakton sëmundje më të rëndë sesa variantet e mëparshme, ose që vaksinat në përdorim aktual do të jenë më pak efektive kundër tij”.

Mjekët kanë paralajmëruar për një simptomë dalluese dhe të dhimbshme që mund të nënkuptojë se jeni infektuar me Covid.

Simptomat e llojit të ri besohet të jenë të ngjashme me versionet e mëparshme të virusit Covid, veçanërisht të variantit Omicron, një version shumë i transmetueshëm i Covid që u shfaq për herë të parë në nëntor 2021.

Varianti Nimbus është një nën-variant i Omicron, i cili tenton të shkaktojë kryesisht simptoma të lehta si rrjedhje hunde, dhimbje fyti dhe simptoma të tjera të ngjashme me ftohjen.

Sipas Dr. Naveed Asif, mjek i përgjithshëm Varianti NB.1.8.1 ka një simptomë dalluese, një dhimbje të fortë fyti të njohur si “ndjesi brisku”. Kjo është një dhimbje e mprehtë dhe therëse kur gëlltisni, shpesh në pjesën e prapme të fytit.

Simptoma të tjera të zakonshme përfshijnë lodhje, kollë të lehtë, ethe, dhimbje muskujsh dhe bllokim, shton Dr Asif.