Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë – një krenari për Shqipërinë dhe natyrën europiane endet nga rreziqet. Pavarësisht shpalljes së tij si zonë e mbrojtur më shumë se dy vite më parë, degët ndihmëse të lumit Vjosa po kthehen në kanale nafte e asfaltit.
Prej më shumë se 8 vitesh, një degë e lumit derdh vazhdimisht mbetje toksike, duke ndotur rëndë ekosistemin e Vjosës.
Faqja ndërkombëtare “Blue Heart Rivers” publikoi së fundmi pamje në rrjetet sociale, ku Parku Kombëtar i Vjosës është mbushur me mbetje të rënda, baltë të zezë dhe kafshë të ngordhura.
Për të parë nga afër këtë katastrofë, në Shqipëri ka ardhur Ulrich Eichelmann, CEO i organizatës Riverwatch. Ajo që ai pa, e quajti “katastrofën më të rëndë mjedisore që ka parë ndonjëherë në një lumë të mbrojtur”.
“Është baltë, e trashë si katran. Është rreth 10 cm këtu dhe ndoshta më shumë më thellë. Ajo që shohim nuk është më ujë, por naftë bruto. Kjo është një katastrofë. Kemi kafshë të ngordhura, një gjarpër që përpiqej të notonte dhe ngordhi. Dhe kjo ndodh brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Vjosës. Është një turp i madh,”- deklaroi Eichelmann për mediat.
Në videon që e shoqëron këtë dëshmi, ai shihet i pajisur me qese të zeza në këmbë, duke tentuar të futet në zonë, por ndalet nga frika se mund të ngecë përgjithmonë në baltën helmuese./Lexo.al