Një tjetër goditje e fortë ka ardhur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ka sekuestruar pasuri me një vlerë totale prej rreth 12 milionë euro, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes aktivitetit të paligjshëm të një grupi kriminal që operonte në Shqipëri dhe Itali. Në qendër të kësaj goditjeje qëndron Elvis Doçi, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, i cili ndodhet në arrati dhe i ka shpëtuar arrestimit, por jo sekuestrimit të pasurive të tij dhe të familjarëve.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e 21 pasurive të paluajtshme, përmes dy vendimeve të datës 20 maj dhe 20 qershor 2025. Të gjitha këto pasuri ndodhen në qytetin e Durrësit dhe përfshijnë ndërtesa, njësi tregtare, truall dhe apartamente të shpërndara kryesisht në zonën e Currilave. 10 prej pasurive rezultojnë në emër të Elvis Doçit dhe familjarëve të tij të afërt, përfshirë bashkëshorten dhe dy të afërm të tjerë. Pjesa tjetër është e regjistruar në emër të Juxhin Draxhit dhe Ervin Zeqirit, dy persona që gjithashtu janë nën hetim si pjesë e të njëjtit grup kriminal.

Sipas SPAK, procedimi penal ndaj këtij grupi daton që nga viti 2019 dhe lidhet me trafik ndërkombëtar të narkotikëve, pastrim të produkteve të veprës penale dhe organizim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Ky hetim është zhvilluar në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK, Prokurorisë së Barit dhe Drejtorisë së Antimafias italiane, me mbështetjen e Eurojust. Në total janë hetuar 52 persona, 30 në Shqipëri dhe 22 në Itali, të cilëve më herët u është caktuar masa e sigurimit personal në të dyja shtetet.
Pasuritë e sekuestruara janë të shumta dhe të larmishme: nga njësi tregtare me sipërfaqe mbi 250 metra katrorë në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., e lidhur me Juxhin Draxhin, deri te pasuri të tipit truall dhe ndërtesë që ndodhen në pronësi të të afërmve të Elvis Doçit. Në mesin e pronave të sekuestruara janë gjithashtu apartamente dhe një bodrum me sipërfaqe të vogla, të shpërndara në zona të ndryshme të Durrësit, por që sipas SPAK përbëjnë elementë të rëndësishëm të pasurisë së paligjshme të krijuar nga ky grup kriminal.

Vendimet e sekuestrimit janë ekzekutuar nga hetuesit financiarë të SPAK dhe Policia e Shtetit, ndërsa pasuritë janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme. Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se hetimi pasuror do të vijojë, me qëllim identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera që mund të jenë përfituar përmes veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi kriminal, që vepronte në të dyja anët e Adriatikut.
Edhe pse në arrati, Elvis Doçi mbetet në shënjestrën e drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane. SPAK nuk e përjashton mundësinë që në fund të procesit pasuritë e sekuestruara të kalojnë në konfiskim të përhershëm, nëse vërtetohet burimi i tyre kriminal. Hetimet për “Operacionin URA” po shkojnë drejt fazave përmbyllëse për disa nga të hetuarit, ndërsa për të tjerët – përfshirë “Visin e Pojës” aksioni ligjor sapo ka filluar.