Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të shtyjë me tre muaj hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, në lidhje me dosjen e inceneratorëve. Pas një shtyrjeje të mëparshme, SPAK ka vendosur që të marrë kohë deri në fund të shtatorit për të mbyllur hetimet.

Arsyeja? Ende nuk kanë ardhur të gjitha përgjigjet nga letërporositë që SPAK i ka dërguar Zvicrës. Pa këto përgjigje, hetimet nuk mund të përfundojnë.

Ahmetaj vazhdon të hetohet me masë sigurie në mungesë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në këtë çështje. Në këtë dosje janë të përfshira edhe ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja e tij, që akuzohen për pastrim parash. Javë më parë, ndaj tyre u vendosën sekuestro mbi disa pasuri.

Kjo është hera e katërt që SPAK shtyn afatin e hetimeve ndaj Ahmetajt. Data e re për mbylljen e hetimeve është 23 shtatori.