Një video e shkurtër e publikuar nga Dosja.al më 26 qershor shfaqte kryeministrin Edi Rama teksa zbriste nga një avion privat në aeroportin e Hagës gjatë udhëtimit të tij drejt Samitit të NATO-s. Avioni ishte i ndryshëm nga ai qeveritar që përdor zakonisht Rama në udhëtimet e tij zyrtare të viteve të fundit dhe i përkiste tipit “Gulfstream Aerospace G-IVSP” me regjistrimin “TC-EMR”, duke ngritur pikëpyetje të reja për kostot.

E pyetur nga BIRN se sa kishte shpenzuar qeveria për udhëtimin e Ramës drejt Hagës, Agjencia për Media dhe Informim deklaroi se edhe ky udhëtim ishte mbuluar nga marrëveshja kuadër që Kryeministria ka me kompaninë private, Air Albania.

“Kryeministria nuk ka paguar ndonjëherë dhe nuk paguan për chartera, por ka një marrëveshje kuadër me kompaninë Air Albania, në një shumë vjetore mesatare të shpenzimeve vjetore të kryeministrit në vitet paraardhëse,” tha MIA në një përgjigje me shkrim.

“Arsyeja e marrjes së avionëve të ndryshëm nga kompania Air Albania lidhet me periudhat kur avioni qeveritar ALBANIA është në mirëmbajtje teknike. Dhe në këto raste është kompania Air Albania që merr masa, duke vendosur në dispozicion avionë të tjerë,” shtohet në përgjigje.

Udhëtimet charter të kryeministrit Edi Rama janë bërë pjesë e debatit politik prej vitesh për shkak të një marrëveshjeje të diskutueshme me Air Albania dhe kostove të paqarta.

Të paktën prej vitit 2020, shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit të kryeministrit mbulohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila ka lidhur një marrëveshje me kompaninë ‘Air Albania’ për të marrë me qira një aeroplan ‘Airbus A319-100′. Aeroplani i konfigurimit ‘Vip’ mund të akomodojë deri në 32 pasagjerë.

Sipas të dhënave që ka bërë më herët publike Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, kjo e fundit faturohet nga Air Albania për 25 orë fluturimi në vit dhe pjesën tjetër “marrësi i shërbimit e përfiton me tarifë zero”.
Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare pretendon gjithashtu se paguan afërsisht 2450 euro për orë fluturimi të kryeministrit ose gjashtë herë më pak se vlera mesatare e tregut për një fluturim charter.