Bashkia e Himarës ka nxjerrë një urdhër për ndalimin e përkohshëm të ndërtimeve në zonën turistike gjatë sezonit veror, me synim ruajtjen e qetësisë dhe standardeve për pushuesit vendas dhe të huaj.
Urdhri hyn në fuqi në 15 qershor dhe zgjat deri më 15 shtator 2025 ku citohet se ndalon të gjitha subjektet që kanë leje ndërtimi në Himarë të vijojnë punimet gjatë kësaj periudhe.
Vendimi bazohet në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe rregullimin e turizmit. Ky urdhër disiplinon aktivitetet ndërtimore që përbëjnë shqetësim për vizitorët, duke reduktuar ndotjen vizuale dhe akustike në një nga destinacionet më të frekuentuara të rivierës shqiptare.
Çfarë parashikon konkretisht urdhri:
1. Pezullimi i përkohshëm i punimeve për të gjitha subjektet ndërtuese në zonën turistike të Bashkisë Himarë nga data 15 qershor deri më 15 shtator 2025.
2. Afati i pezullimit do t’i shtohet automatikisht afatit përfundimtar të përfundimit të punimeve të miratuar më herët nga bashkia.
3. Detyrimi për rrethimin dhe mbulimin e ndërtimeve me materiale estetike, me qëllim krijimin e një ambienti vizualisht të pranueshëm për pushuesit.
4. Subjektet që kryejnë ndërhyrje në infrastrukturë, si rrugë, linja uji apo komunikimi, duhet të rikthejnë ambientin në gjendjen e mëparshme deri më 15 qershor 2025.
5. Zbatimi i këtij urdhri i ngarkohet Drejtorisë së Mbrojtjes së Territorit, Policisë Bashkiake dhe Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
Ky vendim vjen në kuadër të Planit të Veprimit për Menaxhimin e Sezonit Turistik 2025.