Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) kanë kryer një sulm të gjerë në Teheran, duke goditur objektiva kyç, përfshirë edhe bazën kryesore të Gardës Revolucionare Iraniane. Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se në këtë operacion janë vrarë dhjetëra, madje qindra anëtarë të Gardës, ndërsa qëllimi i sulmit ishte jo vetëm të shkaktohen dëme maksimale, por edhe të dërgohet një mesazh i qartë se nëse lufta nuk zhvillohet deri në fund, çmimi që do paguhet në Iran do të jetë shumë më i lartë.

Përveç sulmit ndaj qendrës bërthamore në Fordow, ushtria izraelite ka bombarduar edhe rrugët hyrëse drejt këtij impianti, duke penguar kështu çdo lëvizje të mundshme në zonë. Sipas raportimeve, në sulmet ndaj selisë së Gardës Revolucionare në Teheran janë vrarë shumë prej pasdaranëve, siç njofton edhe Times of Israel.

Një tjetër objektiv simbolik që u godit nga IDF është “Ora e Shkatërrimit të Izraelit” në Sheshin Palestina të Teheranit, një instalacion provokues i vendosur nga autoritetet iraniane në vitin 2017. Ora tregon kohën në drejtim të shkatërrimit të Izraelit sipas parashikimit të Udhëheqësit Suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, që synon që Izraeli të mos ekzistojë më deri në vitin 2040. Raportohet se ora u dëmtua rëndë nga bombardimet izraelite.

Gjithashtu, forcat ajrore izraelite kanë kryer sulmin më të madh deri më tani mbi kryeqytetin iranian gjatë ditës, duke hedhur mbi 100 bomba brenda vetëm dy orëve. Si pasojë, qyteti është mbuluar nga tym i dendur, gjë që shihet edhe në pamjet dhe videot e publikuara nga mediat izraelite.