Deputetja e PD, Jorida Tabaku shprehu kritika për faktin se në rend dite nuk janë përfshirë çështje të rëndësishme si raporti i Komisionit të Jashtëm të PE për Shqipërinë. Ajo përmendi gjithashtu se ka propozuar tre projektligje në një vit dhe asnjë nuk janë vënë për diskutim. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Spiropali theksoi se javën e ardhshme do të diskutohet për raportin e Komisionit të Jashtëm.

Tabaku: Duket se maxhoranca u rikthye në këtë parlament me një fitore imagjinare në Komisionin e Çështjeve Evropiane nuk bëjmë dot kuorum. Anëtarët e maxhorancës nuk vijnë në mbledhje, dhe iu bëj thirrje ju që të merrni në dorë grupin parlamentar të PS të ulen dhe të vijnë e miratojnë se ka axhendë parlamenti. Sot kishim në rend dite për të diskutuar raportin e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Mund të kishim raportin e KE, që kaloi në Komisionin e Jashtëm, përsëri nuk është futur në rend dite. Ka nevojë parlamenti për debat. E kuptoj që grupi i PS nuk do të jetë këtu në shtator, por ky është problemi juaj, jo i joni. Fjala integrim është standarte që fillon nga standartet e zgjedhjeve. Më vjen keq që edhe ato ligje që janë gati, dhe raporte, nuk i vendosni në rend dite. Si deputete, ka një vit që kam propozuar tre projektligje dhe në asnjë nga komisionet parlamentare nuk po diskutohen. Grupi i PD ka mbi 60 iniciativa, përsëri nuk po diskutohen. E kuptoj se ndodheni me një mungesë vullneti politik edhe për të çuar përpara integrimin dhe për zgjedhjet por në këtë parlamentr harrojeni se çështja e zgjedhjeve dhe e integrimit do të anashkalojnë. Nuk ka integrim pa diskutuar këtu së pari zgjedhjet dhe të gjitha diskutimet e PE.

Spiropali: Që të diskutohet raporti duhet të ketë një dakordësi, edhe me nënkryetarin dhe me shumicën. Nuk është çështje iniciative personale, por dakordësie. Besoj se dakordësia ekziston dhe vullneti po ashtu që ai raport të diskutohet dhe besoj se do të diskutohet javën e ardhshme. Jam dakord që është raport i rëndësishëm për të cilin ka nevojë për diskutime.