Deputetja Jorida Tabaku përmes një postimi në rrjetet sociale ka vënë në dukje një kontrast shqetësues në ekonominë shqiptare.
Ndërsa turizmi po rritet dhe gjithnjë e më shumë të huaj vijnë për të parë mrekullitë e Shqipërisë, shqiptarët po mbyllin bizneset e tyre të vogla.
“Gjithnjë e më pak shqiptarë hapin biznese të vogla. Gjithnjë e më shumë dyer mbyllen,” shkruan Tabaku, duke pyetur “Pse?” dhe duke dhënë përgjigjen që sipas saj e dinë të gjithë: “taksat e larta, mungesa e mbështetjes, dhe një qeveri socialiste që nuk e do sipërmarrjen e ndershme.”-shkruan Tabaku
Deputetja thekson se “8 nga 12 qarqe të vendit kanë rënie të ndjeshme të bizneseve të vogla.” Ato që qeveria i quan “rritje ekonomike” janë sipas saj vetëm “fasada, reklama, mashtrime.”
“E vërteta është kjo, Shqipëria është në krizë,” shprehet Tabaku, duke vënë në dukje pasojat e këtij fenomeni: “Sa herë mbyllet një biznes i vogël, një familje futet në vështirësi. Sa herë mbyllet një punishte, humb një lagje, zbehet një komunitet.”-shkruan Tabaku.
Sipas deputetes, “Shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare është sipërmarrja e vogël,” por për “qeverinë socialiste, kjo shtyllë është armiku numër një.”
Arsyeja sipas saj është se shtresa e mesme nuk është klienteliste. Nuk shitet. Nuk hesht. Ajo lufton kundër monopoleve, kundër shtetit të kapur, kundër një ekonomie që punon vetëm për pakicën.