Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme me FC Basel, Taulant Xhaka ka marrë një vendim të papritur për të ardhmen e tij. 34-vjeçari është prezantuar zyrtarisht si trajner-lojtar i Dardania Basel, ekip që militon në ligën e katërt të Zvicrës dhe që administrohet nga komuniteti shqiptar.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njoftoi gjithashtu se Argjent Trukaj do të jetë ndihmëstrajner në krah të Xhakës.
Ky vendim surprizues vjen pas përfundimit të bashkëpunimit me FC Basel, klub me të cilin Xhaka ka zhvilluar më shumë se një dekadë karrierë, duke fituar tituj dhe duke qenë një nga figurat kryesore të ekipit.
Prania e Xhakës në Dardania Basel shihet si një moment historik për komunitetin shqiptar në Zvicër, jo vetëm si një përforcim sportiv, por edhe si një akt simbolik që tregon përkushtimin e tij ndaj rrënjëve dhe zhvillimit të talenteve të reja shqiptare në diasporë.