Mes çadrave, rërës dhe zhurmës së pushuesve, një pamje me një zonjë të pazakontë bie në sy në plazhin e Durrësit.
Në mes të bregdetit, një e moshuar thur me dorë materiale prej leshi, një skenë që më lehtë do ta imagjinoje në një fshat malor sesa në vapën përvëluese të verës.
Prej më shumë se 20 vitesh, 75-vjeçarja Lule Marku e ushtron këtë mjeshtëri të trashëguar në plazh, duke e kthyer materialin e leshit në çanta, kapele dhe veshje të tjera të ndryshme.
“Unë bëj kanatiere ose jelek, pupa, çorape, breza, kapuça, doreza, çanta, shalla”, tha artizania Lule Marku.
Ajo punon jo vetëm për pasion, por edhe nga nevoja.
“Zgjedhja është se kam vetëm 80 mijë lekë pension dhe vuaj për t’u ushqyer, për asgjë tjetër nuk e bëj. Ka kërkesa për shitje, kjo është vetëm sa për të fituar bukën që të mos bezdis fëmijët, nuk kam ndonjë biznes të madh.”
Kureshtja e turistëve dhe pushuesve vendas që ndalen për të parë nga afër këtë mjeshtëri thuajse të harruar, shpesh i shoqëron me një kujtim të punuar me dashuri.
“Bravo të qoftë më thonë, të lumshin duart. Dikush thotë je e paparë që se kam 20 vite që punoj në këtë vend edhe kanë kënaqësi kur më shohin.”
Lula thotë se punimet artizanale nuk janë vetëm të bukura, por sjellin edhe dobi shëndetësore për ata që i veshin.
“Kanatierja e leshtë thith djersën dhe nuk e lejon të ftohesh, stabilizon edhe reumatizmën.”
75-vjeçarja nuk shet thjesht produkte të punuara me dorë. Në çdo fije leshi që kalon nëpër duart e saj, Lulja përcjell një histori, një kulturë dhe një mesazh durimi.