Donald Trump thotë se SHBA-të kanë përfunduar sulmet në tre centrale bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan.

“Ne kemi përfunduar sulmin tonë shumë të suksesshëm në tre centralet bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjithë aeroplanët tani janë jashtë hapësirës ajrore të Iranit”, shkroi ai në Truth Social.

Trump shtoi se një “ngarkesë e plotë bombash” u hodh në Fordo dhe të gjithë aeroplanët ishin në rrugën e tyre për t’u kthyer në SHBA.

Bombarduesit B-2 ishin të përfshirë në sulmet amerikane ndaj Iranit, tha një zyrtar amerikan, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

I vendosur rreth 60 milje (96 km) në jug të kryeqytetit Teheran, vendi i pasurimit të uraniumit në Fordo ndodhet në një rajon malor pranë qytetit Qom.

Mendohet se objekti nëntokësor përbëhet nga dy tunele kryesore që strehojnë centrifuga të përdorura për pasurimin e uraniumit, si dhe një rrjet tunelesh më të vegjël.

Përpara sulmit të së dielës nga SHBA-të, siç u njoftua nga Presidenti Trump, Izraeli i kishte bërë thirrje Uashingtonit për ndërhyrje pasi SHBA-të janë e vetmja ushtri me aftësinë për ta goditur atë.

Ora 15:00- Sulmi mbi objektet bërthamore të Iranit/ SHBA zbulon arsenalin e përdorur në operacionin “Çekani i Mesnatës”

Ushtria amerikane ka treguar detaje shtesë mbi sulmet kundër tre objekteve bërthamore të Iranit. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA-së, gjeneralit Dan Caine, u shpreh se një nëndetëse amerikane ka lëshuar mbi 2 mijë raketa Tomahawk drejt infrastrukturës iraniane, e cila ishte në shënjestër të sulmit. Po ashtu, gjenerali theksoi se shtatë bombardues strategjikë B-2 janë përdorur në sulmet ajrore mbi objektet bërthamore iraniane.

Këto avionë janë të pajisur për të depërtuar në thellësi të tokës dhe për të shkatërruar objektiva të mbrojtur në mënyrë të veçantë, siç janë impiantet bërthamore të ndodhura nën male apo në bunkerë.

Në total, më shumë se 125 avionë të Forcave Ajrore të SHBA-së kanë marrë pjesë në operacion, përfshirë qindra avionë luftarakë të gjeneratës së katërt dhe të pestë, dhjetëra avionë të furnizimit në ajër, si dhe një nëndetëse taktike që shërbeu si bazë për lëshimin e raketave lundruese.

Ora 14:44: Pas Rusisë, edhe Kina dënon sulmet amerikane mbi centralet bërthamore të Iranit

Kina dënon fuqishëm sulmin e SHBA-së ndaj Iranit dhe ndaj objekteve bërthamore të mbikëqyrura nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, tha të dielën Ministria e Jashtme kineze, raporton Reuters.

Ora 14:30: “Kur flet presidenti Trump, bota duhet të dëgjojë”, Pentagoni: Sulmi amerikan ‘shkatërroi’ programin bërthamor iranian

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se operacioni ushtarak i ndërmarrë nga SHBA ndaj objekteve bërthamore të Iranit ka “shkatërruar ambiciet bërthamore të këtij vendi.

Ai e përshkroi operacionin si “të guximshëm dhe brilant”, duke shtuar: “Kur flet presidenti Trump, bota duhet të dëgjojë. Asnjë vend tjetër përveç Shteteve të Bashkuara nuk do të kishte qenë në gjendje të kryente këtë ndërhyrje.”

Ora 13:50- Rusia ‘dënon’ sulmin e SHBA mbi objektet bërthamore të Iranit

Ministria e Jashtme e Rusisë ka “dënuar fuqishëm” sulmet ajrore të SHBA-së mbi objektet bërthamore iraniane, duke i quajtur ato “një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

12:50: “Superbomba” 14 tonë/ SHBA lëshoi bombat gjigande “GBU-57” mbi centralet bërthamore në Iran
Tre janë vendet kryesore ku Irani dyshohet se pasuronte uranium, me qëllim zhvillimin e armëve bërthamore. Fordo, Natanz dhe Esfahan, të trija u goditën nga sulmet amerikane. I fshehur në një shpat mali në jug të Teheranit, Fordow besohet të jetë më thellë nën tokë se Tuneli i Kanalit që lidh Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Për shkak të thellësisë, vetëm SHBA-të kanë llojin e bombës “shkatërruese të bunkerëve” mjaftueshëm të madhe për të sulmuar. Ajo peshon 14 tonë dhe është në gjendje të depërtojë rreth 18 m beton ose 61 m dhe para se të shpërthejë. Superbombat e bukereve janë aq te renda sa mund te mbahen vetëm nga avionët bombardues B-2. Sipas mediave amerikane 12 bomba u përdoren për të goditur Fordo dhe Natanz dhe u përfshinë 6 avione B2 Spirit.

12:07- Ministri i Jashtëm iranian: SHBA dhe Izraeli ‘hodhën në erë’ diplomacinë

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi u shpreh se Izraeli ashtu edhe SHBA-ja vendosën ta “hedhin në erë” diplomacinë. Në një postim në X, ministri i Jashtëm iranian thotë se gjatë negociatave të javës së kaluar me SHBA-në, “Izraeli vendosi ta prishë atë diplomaci”. E njëjta gjë ndodhi, thotë ai, gjatë bisedimeve me zyrtarët evropianë, por “SHBA-të vendosën ta hidhnin në erë atë diplomaci”.

Ora 11:50: Sulmet e SHBA-së në Iran/ Presidenti i Këshillit Evropian: Palët të tregojnë përmbajtje dhe respekt për ligjin ndërkombëtar

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u ka bërë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar pas sulmeve të fundit ajrore të SHBA-së në lokacionet bërthamore iraniane.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe respekt për ligjin ndërkombëtar dhe sigurinë bërthamore”, shkroi Costo në platformën sociale X.

Ora 10:55: Çmimi i naftës pritet të rritet pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit

Çmimet globale të naftës pritet të rriten kur tregjet e energjisë ta rinisin tregtimin të hënën në mëngjes në Azi, raporton “BBC”. “Sulmet e SHBA-së e kanë çuar konfliktin në një nivel të ri dhe shumë njerëz kanë frikë se kjo vetëm sa do ta përkeqësojë situatën”, ka thënë Carole Nakhle, drejtoreshë ekzekutive te “Crystol Energy”. “Kjo frikë do të reflektohet në një premium më të lartë gjeopolitik shtuar në çmimet e naftës”.

Ora 10:37: SHBA sulmoi objektet bërthamore të Iranit/ Vjen reagimi i parë nga Bashkimi Evropian

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën për të diskutuar për sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në platformën “X” ka shkruar se Iranit nuk duhet t’i lejohet zhvillimi i bombës bërthamore, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi.
Ora 10:24: Ambasada amerikane në Tiranë shpërndan mesazhin e Trump: Çdo hakmarrje nga Irani do të përballet me forcë shumë më të madhe
Ambasada amerikane në Tiranë ka shpërndarë një pjesë nga fjala e Presidentit Donald Trump, pas vendimit për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se “çdo hakmarrje nga Irani ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përballet me forcë shumë më të madhe se ajo që u pa sonte”
“Çdo hakmarrje nga Irani ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përballet me forcë shumë më të madhe se ajo që u pa sonte. Faleminderit!” – Donald J. Trump, President i Shteteve të Bashkuara” , shkruan ambasada amerikane.
Ora 10:00- Presidenti izraelit: Ditët në vijim mund të jenë të ndjeshme dhe sfiduese

Presidenti i Izraelit e ka quajtur sulmin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj tre objekteve bërthamore në Iran si ‘historik”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump tha se objektivat e sulmit ishin objektet bërthamore të njohura si “Natanz”, “Esfahan” dhe objekti o pasurimit të uraniumit “Fordow”. Isaac Herzog thotë se fjalët e Trump tregojnë “aleancën e thellë dhe të guximshme” midis SHBA-së dhe Izraelit.

Ora 09:40: Sulmet e SHBA/ Starmer: Programi bërthamor i Iranit është kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, është shprehur se SHBA-të kanë ndërmarrë veprime për të “zbutur” “kërcënimin e rëndë” të programit bërthamor të Iranit. Në një deklaratë, Starmer thotë se programi bërthamor i Iranit është kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare.

“Programi bërthamor i Iranit është një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare. Iranit nuk mund t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe SHBA-të kanë ndërmarrë veprime për të zbutur këtë kërcënim.”, theksoi ai.

09:23: SHBA sulmoi infrastrukturën bërthamore të Iranit/ NATO: Po e ndjekim situatën nga afër

Një zyrtar i NATO-s ka thënë se aleanca po ndjek nga afër Lindjen e Mesme pas sulmeve të SHBA-së ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit gjatë natës. Një zyrtar i bëri këto komente agjencisë së lajmeve Reuters kur u pyet për reagimin e aleancës ndaj sulmeve.

“Sigurisht që po e ndjekim situatën nga afër,” tha zyrtari.

Ora 08:49: Alarmi i OKB-së: Konflikti SHBA-Iran rrezikon të dalë jashtë kontrollit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka reaguar pas sulmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Guterres është shprehur i alarmuar siç ka thënë ai nga përdorimi i forcës nga SHBA-të, duke e cilësuar këtë si një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve në një rajon tashmë të brishtë.

“Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon që tashmë të brishtë dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit – me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, shkroi Guterres.
Ora 08:41: SHBA sulmoi objektet bërthamore të Iranit/ Teherani paralajmëron për pasoja: Do mbrohemi kundër këtij agresioni

Irani tha se sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore janë “shkelje e rëndë” e Kartës së OKB-së, të drejtës ndërkombëtare dhe Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Kryediplomati iranian, Abbas Araqchi, tha se zhvillimet e mëngjesit të sotëm ishin “tronditëse”, duke e paralajmëruar SHBA-në për pasoja.

08:20: Izraeli nis një valë të re sulmesh në Iranin perëndimor

Ushtria izraelite thotë se forcat e saj ajrore sapo kanë filluar një valë të re sulmesh kundër “objektivave ushtarake” në Iranin perëndimor. Kjo vjen pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) lëshuan një paralajmërim në orën e fundit se kishin identifikuar raketa që po lëshoheshin nga Irani drejt territorit izraelit.

IDF shton se ka kryer gjithashtu sulme kundër lëshuesve të raketave në territorin iranian.

Ora: 08:00- Konflikti kalon në një fazë të re/ Çfarë dihet për sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit

Ka shumë gjëra që ende nuk dihen rreth sulmeve amerikane kundër objekteve bërthamore të Iranit. Megjithatë, po vijnë raportime rreth vendeve që u goditën dhe elementëve ushtarakë, që ishin të përfshirë, ndërsa presidenti Donald Trump përshëndeti sulmin.

Cilat vende u goditën?
Amerika duket se ka goditur tre vendet kryesore në programin bërthamor të Iranit. Ato përfshijnë Isfahanin, vendndodhjen e një baze të rëndësishme kërkimore, si dhe objektet e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordow.
Besohet se Natanz është dëmtuar më parë në sulmet izraelite pasi bombat ndërprenë energjinë elektrike në sallën e centrifugave, duke shkatërruar ndoshta makinat në mënyrë indirekte. Megjithatë, objekti në Fordow, i cili është “varrosur” rreth 80 metra nën një mal, më parë i kishte shpëtuar dëmtimeve të mëdha.

Detajet rreth dëmit në sulmet amerikane nuk dihen ende, megjithëse zoti Trump tha se të tri vendet ishin “shkatërruar”.

Ora 02:30 SHBA sulmon Iranin, Trump: Moment historik! Fordow është zhdukur
Presidenti Amerikan, Donald Trump njoftoi se SHBA kanë sulmuar sot Iranin, përfshin uzinën bërthamore të Fordow.

“Ky është një moment historik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin dhe botën”, poston ai në Truth Social.

Ora 02:49 Izraeli: Në ‘koordinim të plotë’ me SHBA për sulmet ndaj Iranit
Izraeli ishte në “koordinim të plotë” me SHBA-në për sulmet e saj ndaj objekteve bërthamore të Iranit, tha një zyrtar izraelit për transmetuesin publik izraelit Kan, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Bombarduesit B-2 ishin të përfshirë në sulmet amerikane ndaj Iranit, tha një zyrtar amerikan, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Ora 02:56 SHBA sulmon Iranin, vjen reagimi i parë nga zyrtarët iranianë

Vjen reagimi i parë nga Irani, pasi presidenti amerikan Trump, njoftoi se SHBA kishte kryer tre sulme me qëllim shkatërrimin e projekteve bërthamore.

Zëvendësdrejtori politik i transmetuesit shtetëror të Iranit, Hassan Abedini, është shfaqur drejtpërdrejt në televizionin shtetëror iranian.
Ai thotë se Irani evakuoi këto tre lokacione bërthamore “pak kohë më parë”.

Ora 03:08 Izraeli rrit sigurinë, pasi SHBA sulmoi Iranin

Izraeli po rrit sigurinë pas sulmeve të SHBA-së në vendet kryesore bërthamore të Iranit.

Izraeli ka shtrënguar kufizimet e sigurisë publike në të gjithë vendin, thanë Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF).

“Me miratimin e Ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, dhe pas vlerësimit të situatës, u përcaktua që që nga sot (e diel), në orën 03:45 të mëngjesit, (01:45 të mëngjesit BST) do të bëhen ndryshime të menjëhershme në udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm.
“Si pjesë e ndryshimeve, u vendos që të gjitha zonat e vendit të zhvendosen nga Aktiviteti i Pjesshëm dhe i Kufizuar në Aktivitet Thelbësor. Udhëzimet përfshijnë: ndalimin e aktiviteteve edukative, tubimeve dhe vendeve të punës, përveç sektorëve thelbësorë.”
IDF shton se publiku kërkohet të ndjekë udhëzimet e publikuara në kanalet zyrtare të Komandës së Frontit të Brendshëm.
Përmirësimi i kufizimeve – duke përfshirë një “ndalim për aktivitetet arsimore, tubimet dhe vendet e punës” – vjen pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit.

Ora 03:19 Ligjvënësit amerikanë reagojnë ndaj vendimit të Trump për të sulmuar Iranin
Senatori i Karolinës së Jugut Lindsey Graham përgëzon Trumpin dhe thotë se ai “mori vendimin e duhur”.

Ai shton se “regjimi i Iranit e meriton”.
Senatori republikan Roger Wicker i bën jehonë lëvdatave, duke thënë se Trump mori një vendim “të qëllimshëm” dhe “të saktë” për të eliminuar “kërcënimin ekzistencial” që paraqet Irani.

Por ka edhe kritika nga disa, me senatorin republikan Thomas Massie të Kentucky që thotë “kjo nuk është kushtetuese”.

Ora 03:56 SHBA sulmon Iranin, Netanyahu: Vendimi i guximshëm i Trump do ndryshojë historinë
Vendimi i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të goditur objektet bërthamore të Iranit do të “ndryshojë historinë”, tha Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu të dielën në mëngjes.

“Urime President Trump, vendimi juaj i guximshëm për të synuar objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e mrekullueshme dhe të drejtë të Shteteve të Bashkuara do të ndryshojë historinë”, tha Netanyahu në një deklaratë video.

Ora 04:13 Trump reagon pas sulmeve: Irani tani duhet të bëjë paqe, në të kundërt…
Presidenti i SHBA i është drejtuar kombit në një dalje live, pas sulmevë amerikane në centralet bërthmore në Iran.

Irani “tani duhet të bëjë paqe”, thotë Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
“Nëse nuk e bëjnë, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta”, thotë ai.

Trump konfirmon se SHBA-të goditën objektet bërthamore të Iranit në Fordo, Natanz dhe Isfahan pak kohë më parë.

Ora 04:30 Shefi i OKB: “Thellësisht i alarmuar” nga sulmi i SHBA ndaj Iranit, thirrje për paqe

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga sulmi i SHBA-së ndaj Iranit të dielën në mëngjes, duke bërë thirrje për paqe dhe duke paralajmëruar kundër përshkallëzimit të mëtejshëm në rajonin e trazuar.

“Jam thellësisht i alarmuar nga përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit sot. Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon që tashmë është në buzë të trazirave – dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ora 04:37 Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani: Trump “duhet të mbajë pasojat” për sulmet

Një zyrtar nga rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen tha në një postim në mediat sociale të dielën herët se do ta mbante Presidentin e SHBA-së Donald Trump përgjegjës për sulmet ajrore të SHBA-së në objektet bërthamore iraniane.

“Trump duhet të mbajë pasojat”, postoi anëtari i byrosë politike të Huthëve, Hizam al-Assad, në X.