Screenshot

Një reagim i fortë ka ardhur nga Ilir Meta ndaj gazetares Anduena Llabani, e cila në një debat publik ngriti dyshime për gjendjen shëndetësore dhe mentale të ish-presidentit. Në një letër të hapur drejtuar znj. Llabani, Meta e cilëson atë të dezinformuar dhe i bën një ftesë të hapur që të takohen në ambientet e IEVP-së “Jordan Misja” për të parë nga afër gjendjen e tij.

Meta e nis letrën duke theksuar se nuk e njeh personalisht gazetaren, por e ka ndjekur në debat me avokatin e tij, Kujtim Bej Cakranin. Ai kundërshton fort dyshimet e ngritura për shëndetin e tij dhe shprehet se është në gjendje të shkëlqyer fizike dhe psikike, duke u përshkruar si “kampion absolut në ping-pong” dhe “me parametra piloti”.

Në reagimin e tij, Meta akuzon SPAK-un për përhapje dezinformimesh dhe manipulim politik nga Edi Rama. Ai shpreh dyshime mbi profesionalizmin e gazetarisë kur ajo mbështetet “kaq shumë” në burime nga SPAK-u, duke e ftuar Anduena Llabanin që të kërkojë leje për të bërë intervistë dhe takim me të brenda qelisë, duke e konsideruar këtë mundësi për të kuptuar “mendimin e kthjellët”.

Ish-kreu i shtetit mbështetet edhe në faktin se deputetë dhe figura të tjera politike, si deputeti Dule apo eurodeputeti Beleri, nuk kanë arritur të marrin leje të ngjashme nga SPAK-u për të takuar Metën në burg, duke sugjeruar një bllokim të qëllimshëm.

Meta shpreh gjithashtu keqardhje për “tradhtinë” e disa personave që sipas tij janë viktima të shkeljeve ligjore dhe i përmend qëndrimet e tij të forta dhe retorikën ndaj ndërkombëtarëve, të cilën e lidh me mbrojtjen e Kushtetutës kundër asaj që ai e quan “kapje totale të shtetit” dhe “Ramaformë” e Reformës në Drejtësi.

Në fund, Ilir Meta i kujton Lllabanit se është e lirë të zgjedhë, por ai mbetet i gatshëm për çdo dialog dhe intervistë që do të “heqë çdo dyshim dhe dezinformim” për gjendjen e tij.

Në vijim të debatit, mbetet për t’u parë nëse znj. Llabani do të pranojë ftesën dhe do të kërkojë të hapë një diskutim publik mbi temat e ngritura nga Ilir Meta.