Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar zyrtarisht nga Kongresi të anulojë 1.1 miliardë dollarë të alokuara për NPR( Radioja publike) dhe PBS ( Televizioni publik ) – dy prej institucioneve kyçe të medias publike amerikane. Në emër të “efikasitetit qeveritar” dhe me bekimin e një task-force të udhëhequr nga Elon Musk, kjo kërkesë nuk fsheh as qëllimin: ndëshkimin e mediave që perceptohen si kritike, eliminimin e zërave të pavarur dhe përqendrimin e kontrollit të informacionit.
Kjo nuk është hera e parë që Trump tenton të prekë strukturat e medias publike. Nga përpjekja për të shkarkuar drejtues të koorparates se transmetimeve publike, deri te urdhrat ekzekutivë që ndalojnë financimin federal për NPR dhe PBS, linja është e qartë: ku nuk ka bindje, s’ka as para. Dhe kur shënjestër bëhet institucioni që transmeton dokumentarë, lajme lokale e edukim për fëmijë, pyetja nuk është më për të majtë apo të djathtë – por për vetë kuptimin e fjalës “publike”.
Shqetësimi nuk kufizohet në SHBA. Në Poloni, media publike është kthyer në zëdhënëse të partisë në pushtet. Në Hungari, lajmet publike janë kopje e deklaratave të kryeministrit. Në Francë, lëvizjet për konsolidimin e mediave publike kanë ngjallur frikë për ndërhyrje nga ekzekutivi. Edhe në Britani, BBC ka qenë në shënjestër të pushtetit për shkak të qëndrimeve “jokomode”. Në Turqi, autoriteti i transmetimit TRT është akuzuar për mbulim të njëanshëm dhe propagandë proqeveritare. Kudo ku përmendet reforma në media publike, pason një pyetje e heshtur: kush do ta kontrollojë përmbajtjen?
Në shumicën e rasteve, përgjigja është: ai që paguan faturën.
Për të kuptuar rëndësinë dhe funksionin e medias publike, duhet të kthehemi në thelbin e dallimit midis medias publike dhe asaj private. Media private ndjek logjikën e tregut: ajo prodhon përmbajtje për aq sa kjo përmbajtje gjeneron fitim. Kjo do të thotë sensacionalizëm, lajme të shpejta, shpesh të pakonfirmuara, përmbajtje që favorizon sponsorët dhe reklamat. Përkundrazi, media publike është konceptuar si shërbim qytetar: ajo synon të informojë, edukojë dhe përfaqësojë interesin e publikut në tërësi, duke mbuluar temat që media private shpesh i anashkalon.
Nëse lejojmë që tregu të kontrollojë tërë informimin, rrezikojmë të jetojmë në një realitet të krijuar sipas algoritmeve të klikimeve dhe jo sipas nevojave qytetare. Shembujt janë të shumtë: nga televizionet që zhdukin temat e ndjeshme sepse nuk sjellin audiencë, te portalet që manipulojnë titujt vetëm për të gjeneruar trafik. Media publike është e vetmja që, nëse financohet si duhet, mund të sigurojë një kundërpeshë.
Kjo na çon te rasti i Shqipërisë, ku RTSH vuan jo vetëm nga mungesa e audiencës, por edhe nga mungesa e financimit të mjaftueshëm. Aktualisht, financimi vjen kryesisht nga një taksë e vogël që i bashkëngjitet faturës së energjisë elektrike – taksa e aparatit. Kjo taksë është nominale dhe nuk mjafton për të garantuar pavarësinë dhe funksionin e medias publike. Çdo tentativë për të rritur cilësinë e programeve bie në ujë kur mungojnë burimet.
RTSH, institucioni i vetëm i transmetimit publik, gjendet në një krizë identiteti, besimi dhe funksioni. Mungesa e financimit të mjaftueshëm e ka bërë atë të brishtë, të varur nga pushteti dhe e paaftë për të ushtruar rolin që i takon në një shoqëri demokratike. Edhe kur vullneti editorial ekziston, mungesa e burimeve e bën të pamundur prodhimin e programeve cilësore, konkurruese dhe edukative.
Ajo që duhet kuptuar me urgjencë është se nuk mund të kemi media publike të pavarur nëse ajo mbahet gjallë me lëmosha qeveritare. Ka një shprehje të vjetër popullore që e përmbledh më mirë se çdo tezë akademike këtë realitet: “Qeni leh atje ku ha.” Nëse media publike ushqehet nga duart e qeverisë, ajo do të lehtë për të, jo për publikun. Por nëse ajo ushqehet nga publiku, nga qytetarët, atëherë do të jetë në shërbim të qytetarëve.
Zgjidhja është e qartë: rritja e ndjeshme e financimit nga publiku përmes një takse të dedikuar. Aktualisht, taksa e aparatit televiziv është e papërfillshme, e padenjë për një media që supozohet të mbulojë të gjithë vendin. Kjo taksë duhet të dyfishohet ose madje të trefishohet, në mënyrë që RTSH të ketë mjetet për të prodhuar përmbajtje cilësore, të pavarur, të thellë dhe edukative. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një media publike që i shërben me dinjitet publikut shqiptar.
Prej kohësh, RTSH është vazhdimisht nën presion nga perceptimi publik i përhapur se aty notohet në para dhe ajo vetëm shpërdorohet. Nën një thashethemnajë publike vihet çdo drejtues dhe strukturë që merret me blerjen apo financimin e projekteve të ndryshme teknike apo artistike. Por nëse qytetarët duan që RTSH të transmetojë Kombëtaren e futbollit, Lojërat Olimpike, duhet ta kuptojnë se të gjitha këto blihen me lekë. Nëse do të duan filmat e mirë, edhe ata blihen me lekë dhe nuk mund të vidhen siç ndodh rëndom në televizione private. Qytetarët duhet të paguajnë për emisione për shkollën dhe librin, për njerëzit që nuk shikojnë e dëgjojnë, për ata me aftësi ndryshe etj. Dhe këto para duhet të sigurohen jo duke u lutur në komisione parlamentare apo në Ministrinë e Financave, as duke ia mbushur mendjen Kryeministrit që të ketë mirësinë të shtojë financimin, por duhet të dalin nga xhepat e qytetarëve direct dhe tek buxheti i RTSH sepse: pavarësia financiare që çon në pavarësinë editoriale. Nëse qytetarët shqiptarë duan të shikojnë lajme pa ministra që presin shirita inaugurimesh apo që inspektojnë punimet, ata duhet të paguajnë.
Në Zvicër, taksa për transmetimin publik është më e larta në Evropë, por qytetarët votuan në referendum kundër heqjes së saj. Në Finlandë, YLE financohet me taksë të drejtpërdrejtë, jo për çdo familje, por për çdo qytetar, e garantuar nga ligji. Në Danimarkë, DR prodhon programe për komunitete të margjinalizuara falë një sistemi taksimi që e mbron nga politika. Që të gjitha këto shtete e trajtojnë median publike si infrastrukturë kombëtare, jo si “kanal alternativ”.
Sistemi ligjor shqiptar për transmetimet publike është i përcaktuar nga ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i cili i njeh RTSH-së statusin e transmetuesit publik dhe i parashtron detyrimet për informim, edukim dhe promovim të kulturës shqiptare. Ligji gjithashtu kërkon që RTSH të ketë pavarësi editoriale dhe institucionale, por nuk garanton burime të mjaftueshme për të përmbushur këtë mandat nëse nuk mbështetet nga një skemë financimi të qëndrueshme dhe transparente.
Të mendosh se Shqipëria mund të ketë media publike të fortë pa financim serioz nga publiku, është iluzion. Ose do ta ushqejmë ne, ose do ta blejnë të tjerët. Dhe ata që blejnë, nuk blejnë për të informuar, por për të kontrolluar.
Në fund, çështja nuk është thjesht financiare. Është thellësisht politike dhe kulturore. A duam një zë të paanshëm në peizazhin mediatik, apo na mjafton zërimi i zërave të pushtetit? A duam të kemi qasje në informacion të pavarur, apo të mbetemi konsumatorë të propagandës?
Për aq kohë sa nuk japim ndihmesë financiare për median publike, nuk kemi as të drejtë morale të ankohëmi kur ajo nuk është as cilësore, as kritike, as e dobishme. Një shoqëri që nuk e mbron informacionin e saj, nuk mund të mbrojë as demokracinë.Qytetaret e paguajne edhe buxhetin e qeverise. Edhe ajo eshte pasuri publike, por financimi direkt nuk e lejon qeveritarin e cdo ngjyre te beje presion me parane per permbajtjen
Ne SHBA sot të dy rrjetet po kerkojnë mënyra të reja për diversifikimin e burimeve të financimit dhe forcimin e lidhjes me komunitetet lokale. Kjo përfshin intensifikimin e fushatave të mbështetjes direkte nga dëgjuesit dhe shikuesit, zgjerimin e marrëveshjeve me fondacione filantropike, dhe zhvillimin e platformave dixhitale që krijojnë modele alternative të qëndrueshme për të ardhura. Shumë stacione lokale kanë nisur fushata të pavarura për donacione, duke theksuar se çdo kontribut qytetar nuk është thjesht ndihmë financiare, por votë për gazetarinë e pavarur. PBS dhe NPR janë gjithashtu në proces të rishikimit të strategjive për partneritete me universitete, biblioteka dhe institucione të tjera edukative, për të krijuar rrjete të shpërndarjes dhe bashkëprodhimit që e rrisin qëndrueshmërinë e përmbajtjes publike.