Procesi i verifikimit të kutive të votimit po e ekspozon PD-në përballë qorrsokakut të vet, në të cilin, me sa duket, është e ‘detyruar’ të shkojë pas zgjedhjeve të 11 Majit, si e vetmja alibi për të justifikuar rezultatin dhe humbjen.

Njëjtë si në Dibër, ku rezultoi se kandidatët e listës së hapur të PD-së kishin vjedhur njëri-tjetrin, hapja dhe verifikimi i kutive në Peqin dhe në Gramsh jo vetëm që nuk solli asnjë çudi, por tregoi thjesht atë që edhe raportet e OSBE-ODHIR-it e thonë, se mbarëvajtja dhe administrimi i procesit zgjedhor ka problematika, mirëpo këto probleme, ashtu siç edhe po verifikohen nga hapja e kutive, nuk kanë të bëjnë me pretendimet dhe alibitë e Berishës dhe njerëzve të tij në terren, por janë të një niveli tjetër, që kanë të bëjnë me teknikalitete që kanë nevojë për përmirësime dhe për vullnet në të ardhmen nga të gjitha palët.

Tollumbacja e zhurmshme u shfry në Peqin, ndërsa ‘treni bullgar’ ngeci në Gramsh, ku pasaktësitë e gjetura nuk arritën t’i krijonin bindjen as përfaqësuesit të PD-së KAS në e kompromentonin procesin e zgjedhjeve dhe në e bënin të pavlefshëm atë. ‘Është ende herët për të arritur në një konkluzion të tillë’ – u shpreh Elvis Çefa, anëtari i PD-së në KAS, mirëpo ky qëndim i tij është mëse i kuptueshëm edhe par shkak të partisë politike që përfaqëson në atë institucion.

Madje, edhe problematikat e evidentuara, siç ishte gjetja e 15 fletëve të votimit vetëm me një vulë ashtu sikurse gjetja e një apo dy fletëve të votimit më shumë në kuti se sa pjesëmarrës në zgjedhje, në thelb, të dyja nuk kanë të bëjnë me mekanizmin e ‘trenit bullgar’, i cili nuk synon të nxjerr vota të pavlefshme, por ta kontrollojë atë përmes një metode të saktë dhe që duhet të rezultojë e vlefshme.

Kjo përpjekje e Partisë Demokratike për të ngritur shqetësime dhe pretendime të tilla më shumë ka të bëjë me dëshirën e saj për të mos e treguar gishtin nga problemi i saj i madh, i cili edhe në këto ditë të nxehta vere e ka vënë partinë më të madhe të opozitës në shërbim të vetes së vetë, duke u mbushur mendjen të gjithëve se Sali Berisha nuk është problemi, por është zgjidhja e të gjitha problemeve. Ai mund t’i zgjidh vërtet problemet e tij personale duke qëndruar në krye të PD-së, por këtë parti e lë përjetësisht në opozitë./ TEMA