Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një ultimatum ndaj iranianëve në Teheran, duke u kërkuar të evakuohen menjëherë nga kryeqyteti i Iranit.
Në një mesazh të shkurtër në rrjetin social Truth, Trump thotë se Irani duhet të kishte pranuar marrëveshjen e tij për armët bërthamore.
Mbetet e paqartë nëse Trump ka dijeni për ndonjë operacion që pritet të ndodhë ndaj Iranit në vijim, teksa ky paralajmërim pa dyshim që do ndikojë te 10 milionë banorët e Teheranit, shumë prej të cilëve kanë nisur të largohen që dy ditë më parë.
“Irani duhej ta kishte nënshkruar “marrëveshjen” që u thashë ta nënshkruanin. Çfarë turpi dhe humbje jete njerëzore. Thënë thjesht, IRANI NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë vazhdimisht! Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani”, shkruan Trump.
Ky mesazh i Trump është rishpërndarë nga sekretari i shtetit Marco Rubio. Sakaq, në Teheran raportohet se janë dëgjuar disa shpërthime të forta.