Tre akte zjarrvënieje shënjestruan gjatë muajit maj pronat e kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Më e fundit prej tyre ishte një banesë në një qark në veriperëndim të Londrës, ku një zjarr i vogël shkaktoi dëme minimale në portën kryesore, por pavarësisht, ngjalli shumë shqetësim.

Shtëpinë, në lagjen Kentish Taun, Starmer e kishte lëshuar me qira pas zhvendosjes në rezidencën e kryeministrise. Misteri u thellua kur policia njoftoi për akuzën e ngritur lidhur me këtë ngjarje ndaj ukrainasit, Roman Lavrynovych.

Që atëherë, tre burra të tjerë janë arrestuar, përfshirë edhe një tjetër ukrainas dhe një rumun që më herët kishte jetuar në Ukrainë. Sipas The Financial Times, zyrtarët britanikë të sigurisë tani po hetojnë nëse Rusia mund të jetë e përfshirë. Përveç Lavrynovychit, policia britanike dhe prokurorët kanë identifikuar edhe dy të dyshuar të tjerë si Stanislav Carpiuc, 26-vjeçar, dhe Petro Pochynok, 34 vjeç.

Një person i katërt, që u arrestua më 2 qershor, nuk është identifikuar. Oleksandr Shapovalov, zëdhënës i Policisë Kombëtare të Ukrainës, tha se agjencia ka bashkëpunuar me organet e zbatimit të ligjit në Britani dhe Evropë dhe po tenton që të përcaktojë nëse ka ndonjë lidhje “me shërbimet e huaja të inteligjencës apo grupe të tjera terroriste”.

Agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës lëshoi së fundi një paralajmërim të pazakontë publik, duke thënë se “shërbimet speciale ruse kanë intensifikuar përpjekjet për të rekrutuar qytetarët ukrainas në mënyrë që t’i përfshijë në aktivitete të paligjshme në territorin e Bashkimin Evropian”.

“Autorëve potencialë u ofrohen shpërblime monetare për pjesëmarrje në aktivitete të paligjshme, monitorim të objekteve të infrastrukturës kritike dhe kryerje të detyrave të tjera në dobi të shtetit agresor”, u tha në njoftim. “Këta janë kryesisht ukrainas nga territore të pushtuara përkohësisht, të cilët e kanë gjetur veten në situatë të vështirë”.