Ushtria izraelite ka konfirmuar se trupi i liderit të Hamasit në Rripin e Gazës, Mohammed Sinwar, është identifikuar zyrtarisht. Sinwar u vra gjatë një bastisjeje izraelite të ndërmarrë më 13 maj, në jug të Gazës.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe agjencisë së inteligjencës Shin Bet, trupi i Sinwar u gjet bashkë me trupat e disa anëtarëve të tjerë të Hamasit në një tunel të nëndheshëm poshtë Spitalit Evropian në Khan Yunis. Në të njëjtën sulm u eliminuan edhe dy figura të rëndësishme të grupit: Mohammed Sabana, komandant i brigadës Rafah, dhe Mahdi Quara, komandant i batalionit të Khan Yunis-it jugor.

Autoritetet izraelite bënë të ditur se në vendngjarje u zbuluan edhe armë dhe dokumente që i përkisnin Sinwarit dhe Sabanës, përfshirë karta identiteti. Procesi i identifikimit të trupave të tjerë të gjetur vazhdon ende.

IDF njoftoi gjithashtu se gjatë këtij operacioni, Forcat Ajrore izraelite përdorën mbi 50 bomba brenda vetëm 30 sekondave, me qëllim goditjen e tunelit dhe eliminimin e drejtuesve të Hamasit.

Ky zhvillim shënon një prej goditjeve më të rëndësishme ndaj lidershipit të Hamasit që nga fillimi i konfliktit të përshkallëzuar në Rripin e Gazës.