Vettingu largon përfundimisht nga sistemi i drejtësisë për 15 vitet e ardhshme një tjetër magjistrat.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, la në fuqi vendimin e shkallës së parë të KPK për prokurorin e Vlorës, Hyrjet Lamaj.
Vendimi u shpall sot më 16 qershor, ndërsa ish-magjistrati e kishte ankimuar si të pabazuar vendimin e shkallës së parë.
Lamaj arriti të përmbysi barrat e provës që i’u kaluan për tre prona, por një apartament që iu dhurua në vitin 2015 prej vëllait u konsiderua se kishte qenë prej fillimit pasuri e subjektit të rivlerësimit, konkluzion ku u bazua shkarkimi i tij më 26 maj të vitit 2023 nga KPK. Lamaj pretendoi se shtëpia ishte e vëllait të tij. Ndërkohë, KPK nuk gjeti probleme domethënëse në kriterin e figurës dhe profesionalizmit.
Megjithatë KPA vlerësoi se nuk kishte prova bindëse për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë.
Venimi u mor nga trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.
Vendimi i plotë i KPA-së:
“Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli sot, më datë 16.06.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për shpalljen e vendimit të çështjes (JR) 36/2023, datë 26.07.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Hyrjet Lamaj kundër vendimit nr. 668, datë 26.05.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Para shpalljes së vendimit, kryesuesja e seancës, në emër të trupit gjykues, relatoi si vijon:
Më datë 15.06.2025, subjekti i rivlerësimit i drejtoi Kolegjit në rrugë elektronike një kërkesë, nëpërmjet së cilës kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes me qëllim paraqitjen e disa provave të reja bashkëlidhur kërkesës, me rëndësi të drejtëpërdrejtë për rivlerësimin e ligjshmërisë së burimit të të ardhurave të personit të lidhur me me të. Kjo kërkesë e subjektit të rivlerësimit është depozituar në Kolegj edhe në rrugë postare.
Në seancën e mëparshme, të datës 11.06.2025, bëmë me dije që vendimi për çështjen është marrë më datë 09.06.2025, rrjedhimisht kjo kërkesë nuk do t’i nënshtrohet shqyrtimit në këtë proces gjyqësor, por subjekti i rivlerësimit do të marrë administrativisht përgjigje lidhur me të.
Në vijim, trupi gjykues shpalli vendimin e marrë në datën 09.06.2025, për çështjen (JR) 36/2023, datë 26.07.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Hyrjet Lamaj:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 36/2023, datë 26.07.2023 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Hyrjet Lamaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 668, datë 26.05.2023.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 668, datë 26.05.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Hyrjet Lamaj.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 16.06.2025”.