Në një intervistë për gazetën TemA, analisti politik Roland Lami theksoi se Sali Berisha është më i sinqertë se drejtuesit e mëparshëm të Partisë Demokratike, për faktin se nuk e fsheh kontrollin që ushtron mbi strukturat dhe vendimmarrjen e partisë. “Nuk bën sikur respekton statutin, nuk bën sikur rifreskon partinë duke vendosur individë që në fakt i ka nën kontroll, siç ndodhi me zotin Basha,” u shpreh Lami.

Megjithatë, ai paralajmëron se ky “sinqeritet” nuk përkthehet domosdoshmërisht në një rrugëzgjidhje për të djathtën shqiptare. Sipas tij, për sa kohë që të zhgënjyerit dhe fraksionet e pakënaqura – përfshirë ata që dështuan në zgjedhjet e vitit 2025 – nuk krijojnë një alternativë të re jashtë Partisë Demokratike, atëherë kjo forcë politike mbetet e varur nga “fati biologjik i zotit Berisha”.

Lami theksoi se shpresa për të djathtën nuk mund të vijë përmes pjesëmarrjes fasadë në një PD të trukuar nga Berisha, por vetëm përmes një reagimi të thellë dhe një rikonceptimi të qëndrimeve dhe strategjive të saj. “Shpresa nuk është brenda PD-së, por përballë saj,” tha ai, duke lënë të kuptohet se ringritja e së djathtës shqiptare mund të vijë vetëm përmes një shkëputjeje reale nga figura dominuese e Sali Berishës.