Programi Kombëtar i Dezinsektimit është një nga masat kryesore që po ndiqet me rigorozitet për të garantuar ambient të sigurt dhe të pastër për parandalimin e sëmundjeve që transmetohen nga mushkonjat.

Për këtë qëllim, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu shoqëruar edhe nga Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini inspektoi nga afër procesin e dezinsektimit në vijën bregdetare të Gjirit të Lalëzit në Durrës.

Ministrja Koçiu theksoi se procesi i dezinsektimit po vijon të kryhet nga veriu në jug, ku në bashkëpunim me ekspertët po bëhet edhe vlerësimi i zonave potencial për grumbullimin e larvave të mushkonjave.

Ekipet janë në terren për të vlerësuar dhe për të kryer procesin rast pas rasti. Ky është një proces që kryhet periodikisht çdo dy javë. Pasi bëhet një dezinsektim, vijnë ekipet që bëjnë vlerësimet nëse ka qenë efektiv procesi dhe ripërsëritet sipas nevojës”, vuri në dukje Koçiu.

Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë solli në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe operatorët privat për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe garantimin e shëndetit të popullatës.

Sipas saj, është e domosdoshme që edhe vetë bizneset që operojnë në zonat turistike të kryejnë këtë proces në ambientin ku operojnë.

“Secili biznes që operon në vijën bregdetare, sidomos, do të duhet të marrin masa brenda zonës ku ushtron biznesin apo aktivitetin që të kryejnë vetë proceset dezinsektuese si dhe të mbajnë pastër ambientin ku operojnë nga papastërtitë dhe mbetjet pasi në periudhën e verës për shkak të temperaturave të larta, patjetër që krijojnë problematika”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nga Gjiri i Lalzit ku po kryhet trajtimi i katërt i dezinsektimit, sikurse edhe në zonat e tjera të Durrësit.

Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini sqaroi se “janë bërë deri tashmë 77 ha në këtë trajtim të katërt dhe ndërkohë mbi 6000 m2 bodrume, kanale, puseta dhe habitate të tjera”.

Procesi i dezinsektimit është shtrirë në 6 bashki të vendit në zonat turistike, parqe, kanale, pellgje, zona urbane, bodrume dhe puseta dhe do të vijojë në mënyrë periodike deri në fillim të muajit tetor, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të shëndetshëm.