16 persona kanë kërkuar ndihmë tek policia Kufitare e Himarës pasi në zonën midis plazhit të Qeparoit dhe Borshit duke lundruar me kanoe nuk kanë mundur te rikthehen në breg për shkak të detit me dallgë.
Punonjësit e policisë kufitare kanë ndërhyrë duke i shoqëruar dhe shpëtuar 16 personat, të cilët mësohen se janë të huaj dhe ndodheshin në afërsi të Porto Palermo.
Ata janë ndihmuar nga policia kufitare që të dalin në breg, ndërkohë që mjeti tip kanoe në të cilin ata ishin në det e kanë lënë në det pasi nuk mund ta tërhiqnin.
Gjithashtu, u dha ndihmë e menjëhershme një turisteje, të cilën era e fortë e kishte larguar rreth 4 milje nga bregu, ndërsa notonte me një komerdare, në zonën e Drimadhes.
‘Policia Kufitare Vlorë u shkoi në ndihmë 16 turistëve që udhëtonin me mjete lundruese kanoe, në dy raste të ndara në Palasë dhe Qeparo, jeta e të cilëve u rrezikua për shkak të dallgëve të forta. Pas marrjes së njoftimeve për dy raste të ndryshme, në Palasë dhe Qeparo, ku turistë që udhëtonin me kanoe nuk po mund të ktheheshin në breg për shkak të dallgëve të forta si pasojë e përkeqësimit të motit, shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi dhe Himarë organizuan menjëherë ndërhyrjen e nevojshme.
-Rasti i parë – U dha ndihmë në plazhin e Palasës, ku një çift turistësh që po lundronin me kanoe, u gjendën në vështirësi për shkak të dallgëve. Shërbimet e Njësisë Policore Detare ndërhynë menjëherë dhe i shoqëruan në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
-Rasti i dytë – U dha ndihmë në Qeparo, ku 14 turistë që ndodheshin në disa kanoe rrezikuan jetën për shkak të motit të keq dhe erës së fortë. Policia Kufitare ndërhyri me mjetet e saj lundruese dhe bëri të mundur shpëtimin dhe shoqërimin e të gjithë turistëve në breg, pa probleme për shëndetin e tyre.
-Rasti i tretë – U dha ndihmë në plazhin e Drimadhes, ku një shtetase që po qëndronte në një komerdare, si pasojë e erës së fortë ishte larguar rreth 4 milje nga bregu. Pas lokalizimit të saj, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi bënë të mundur shoqërimin në breg, në gjendje të mirë shëndetësore’, njoftoi policia.