TIRANË– Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë konferencës me gazetarët u shpreh se procesi i votimit nga jashtë është zhvilluar në mënyrë model. Ai theksoi se ka patur parregullësi të vogla, por kjo nuk e ka cenuar aspak mbarëvajtjen e procesit.

“Procesi i votimit nga jashtë, pa asnjë lloj droje e hezitimi, e them se ka shkuar shumë mirë. I kuptoj pretendimet e subjekteve politike, ka patur problematika, por duke i kalkuluar edhe efektin e këtyre problematikave, them se procesi i votimit nga jashtë është zhvilluar në mënyrë model. Problematikat e shpërndarjes së e zarfeve në Greqi nuk e cenojnë këtë proces. Jam i ndërgjegjshëm për opozitën, që kjo gjë nuk qëndron kështu, por unë jam i bindur për këtë gjë”, tha ai. Kryekomisioneri u shpreh se KQZ ka kursyer rreth 2 milionë euro nga fondi, që kishte parashikuar për kontratën më kompaninë postare.

“Kursimi i parave nuk e ka cenuar standardin e këtij procesi. Janë 2 milionë euro të kursyera vetëm për kontratën e lidhur me operatorin e shërbimit postar, por kemi dhe kursyer dhe në aspekte të tjera, përfshirë dhe procesin e votimit brenda vendit”, tha Celibashi