Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Leçin për vrasjen e ish-drejtorit të policisë se Vlorës Artan Cuku. Vrasja e Artan Çuku ndodhi në 2017 në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë, ndërsa Bledar Jambelli u arrestua në Greqi në vitin 2018, si organizator dhe financues i krimit.
Mikel Shallari, i cili u arrestua vetëm pak ditë pas krimit si personi që kreu vrasjen, vendosi të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke treguar marrëveshjen e bërë me Jambellin për vrasjen. Shallari u dënua me vetëm 10 vite burgim, për shkak se ai kishte përfituar statusin e bashkëpunëtorit të Prokurorisë.
Kristaq Leçi ndihmoi autorin Mikel Shallari me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim.
Motivi i vrasjes së Cukut ishte arrestimi që ish-kryekomisari Cuku i ka bërë porositësit Bledar Jambelli në vitin 2012, të akuzuar për vrasjen e Armando Delajt po atë vit, për të cilën, Jambelli u lirua dy vite më pas nga gjykata, madje mori edhe mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim nga shtetit për ditët e burgut.
Bledar Jambelli aktualisht ndodhet ne burg në Greqi për një ngjarje në vitin 2022 ku mbetën të plagosur 5 persona. Për vrasjen, ekzekutorit iu premtua 20 mijë euro të cilat do t’i merrte në Gjermani pasi të kryente krimin. Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, për krimin, ai mori vetëm 3 mijë euro.