Arben Frroku i ka dërguar një letër Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamajt. I dënuari me burg përjetë për vrasjen e kryekomisarit kërkon që i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani për ngjarjen e ndodhur 12 vite më parë. Sipas “A2CNN”, Frroku, i cili aktualisht po vuan dënimin me burg në Holandë, kërkon marrjen në pyetje të të penduarit Dumani dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Henrik Hoxhaj e Festim Qoli, duke u bazuar në dëshminë që ata kanë dhënë para trupës së Gjykatës së Posaçme.
Në shkresën e firmosur nga përfaqësuesi i tij ligjor, Tonin Prendi, Frroku pretendon se informacionet që mund të përftohen nga dëshmitë e tyre mund të ndryshojnë totalisht rrjedhën e ngjarjes së vrasjes së të ndjerit Dritan Lamaj. Sipas tij, marrja e shpjegimeve nga Dumani, Hoxhaj e Qoli do të hidhte dritë mbi pafajësinë e tij.
Por cilit rrëfim i referohet Frroku?
Ish-biznesmeni i njohur në Shqipëri, pretendon se Nuredin Dumani në seancën e 20 marsit 2025 ka treguar para gjykatës së kur kishte dalë nga burgu kishte mësuar se kryekomisari Lamaj ishte vrarë. Në atë moment, bazuar në një përplasje që vetë kishte pasur me zyrtarin e Policisë së Shtetit, i kishte shprehur Festim Qolit dëshirën për t’i dhënë një drekë autorëve. Si përgjigje, ky i fundit i kishte thënë: Do ia japësh, se vëllai jonë është!
Pas kësaj dëshmie, Frroku pretendon se Dumani i referohej Henrik Hoxhajt. Por nuk dihet nëse në kërkesën e tij ka shtuar edhe prova të tjera, apo është mjaftuar me dëshminë e dhënë para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Frroku është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në shkurt të 2013, por asnjëherë nuk e ka pranuar këtë krim. Në Prill të 2015-s, Arben Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pasi doli nga qelia, Frroku u largua nga Shqipëria ditën që Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe vendosi dënim me burgim të përjetshëm për Arben Frroku.
Ky i fundit u kap në Holandë me pasaportë false, disa muaj më vonë, dhe Gjykata e Holandës vendosi për ekstradimin në Shqipëri të Arben Frrokut, por ai deklaroi se nuk duhet të ekstradohet drejt vendit të tij, sepse kërcënohej nga gjakmarrja.