Interpol Tirana dhe Policia e Shtetit njoftuan më 14 qershor ekstradimin nga Zimbabve të Loran Dushës, 42 vjeç, i kërkuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që prej vitit 2022, për korrupsion aktiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Operacioni i koduar “The Wanted” u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Harare. Dusha, administrator i “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, akuzohet për përfitim fondesh publike në mënyrë të paligjshme përmes faturave dhe pagesave fiktive për punë e shërbime të pakryera.
Pas ekstradimit, Dusha iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri. Ai është dënuar në mungesë me 7 vite burg, konvertuar në 4 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar, por çështja është ende në rigjykim në Apelin e GJKKO.
Hetimet për aferën e inceneratorit të Fierit u mbyllën në dhjetor 2022, ku SPAK akuzon për një dëm prej 60 milionë lekësh dhe pagesë 4 milionë euro për punë të pambaruara. Në shkallën e parë të gjykimit, 12 persona u shpallën fajtorë dhe 3 të pafajshëm.