Kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur nga gazetarët lidhur me hetimin për dosjen “21 janari”. Dumani tha se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe se është një nga dosjet prioritare.
Ai bëri me dije se SPAK ka marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë dhe Strasburgut. Kreu i SPAK sqaroi se është prokurori ai që vendos si do të hetoj dhe radhën se si do të merren në pyetje personat.
“Çështja është në fazën e hetimit paraprak. SPAK ka marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë dhe Strasburgut. Prokurori është ai që vendos si do të hetoj dhe radhën se si do të merren në pyetje personat. Është një nga dosjet prioritare”, tha Dumani.
Çështja “21 janari”
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.
Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Por një publikim i ri ka dalë në dritë 12 vite pas ngjarjes. Gazetari Artan Hoxha publikoi audiopërgjimet e shërbimeve të huaja ku zbardhet urdhëri i marrë për të hapur zjarr ndaj protestuesve.