Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, ka befasuar opinionin ndërkombëtar duke shpallur zyrtarisht kandidaturën për një mandat tjetër presidencial, pavarësisht moshës së tij të avancuar dhe gjendjes së pasigurt shëndetësore. Ai konsiderohet si një nga liderët më jetëgjatë dhe më autoritarë në historinë moderne të Afrikës.

Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, udhëheqësi më i vjetër në botë në detyrë në moshën 92-vjeçare dhe me 43 vite në pushtet, do të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti që do të mbahen më 12 tetor, sipas një postimi në llogarinë zyrtare të tij në X (ish-Tëitter) të dielën.

“Jam kandidat në zgjedhjet presidenciale. Jini të sigurt se vendosmëria ime për t’ju shërbyer përputhet me urgjencën e sfidave me të cilat përballemi,” thuhet në postimin në llogarinë zyrtare të presidentit.

Shëndeti i Biya-s ka qenë shpesh subjekt spekulimesh, sidomos vitin e kaluar kur ai u zhduk nga skena publike për 42 ditë.

Kandidatura e tij për rizgjedhje ishte e pritshme prej kohësh, por nuk ishte konfirmuar zyrtarisht deri në postimin në rrjetet sociale të dielën.

Biya ka qenë aktiv në platformën X në periudhën para shpalljes së kandidaturës. Në vitin 2018, për herë të parë, ai përdori po ashtu rrjetet sociale për të shpallur kandidaturën e tij, duke shënuar një angazhim të rrallë të drejtpërdrejtë me publikun në platformat dixhitale.

Që nga viti i kaluar, anëtarë të partisë në pushtet Lëvizja Demokratike Popullore e Kamerunit (CPDM) dhe mbështetës të tjerë e kanë kërkuar publikisht që Biya të kërkojë edhe një mandat tjetër.