Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi edhe këtë të mërkurë me denoncimet ndaj procesit zgjedhor të 11 majit, të cilin e cilëson si farsë elektorale.
Ai tha se PD po punon për të ndriçuar të vërtetën, duke theksuar se janë grumbulluar dokumente zyrtare që sipas tij faktojnë “shkatërrimin e këtij procesi në çdo qelizë”.
I pyetur nga gazetarët nëse partia do të bojkotojë Kuvendin në shtator, duke qenë se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve, Berisha u përgjigj se çdo vendim do të merret nga forumet e PD-së, në momentin e duhur.
“Të gjitha do të vendosen nga forumet, gjithçka do të vendoset nga forumet”, deklaroi ai.
Sa i takon mundësisë për një riformatim të forumeve të partisë pas analizës së zgjedhjeve, Berisha la të kuptohet se nuk priten ndryshime.