Nga Eduard Zaloshnja
Para disa ditësh Rama deklaroi se do të kemi një Rilindje Urbane 2.0. Referenca lidhet me Rilindjen Urbane 1.0 të para 12 vjetëve…
Para 12 vitesh, pasi kishte fituar mandatin e tij të parë kryeministror, Rama shpalli programin e Rilindjes Urbane, që kishte dy komponentë: 1. Rregullimin dhe zbukurimin e qendrave të qyteteve; 2. Spastrimin e trotuarëve nga tavolinat/tezgat/tendat/çadrat/strukturat/kioskat pa leje apo me leje abuzive. Dhe pasi trotuarët u spastruan e qendrat urbane u zbukuruan, u përcaktuan kritere strikte se ku dhe sa përqind të trotuarëve mund të ziheshin nga bizneset në buzë të tyre.
Vijmë në ditët e sotme.
Pasi fitoi mandatin e tij të katërt kryeministror rradhazi, Rama konstatioi se trotuarët përsëri ishin zaptuar nga tavolinat/tezgat/tendat/çadrat/strukturat/kioskat pa leje apo me leje abuzive. Dhe duke filluar nga Lungomarja e tij e dashur (në Vlorë), ai urdhëroi një aksion spastrimi kombëtar, të ngjashëm me atë të 2013-ës.
Duke e kuptuar që kriteret strikte se ku dhe sa përqind të trotuarëve mund të ziheshin nga bizneset në buzë të tyre nuk ishin zbatuar nga zyrtarët lokalë të bashkive, Rama “kërkoi” dorheqjen masive të tyre, dhe ata iu bindën në masë “kërkesës” së tij. Ndërkohë, ai ka deklaruar se në shtator do të miratohet një paketë e re ligjore territoriale në Kuvend, e cila do të përcaktojë në mënyrë edhe më strikte se deri më sot kriteret e administrimit të territorit.
Rama ka dhënë pak detaje rreth paketës së re ligjore territoriale që do të miratohet në shtator. Por sido që të jetë, e sigurt është që ajo do të zbatohet!
Dhe pyetja që natyrshëm mund të shtrohet është: A do të vijë dita që pas disa vitesh të kemi nevojë për një Rilindje Urbane 3.0, pasi kjo Rilindja Urbane 2.0 dalëngadalë të harrohet?