Nga Ben Andoni
Për njerëzit e qeverisjes ky stad me Kodin e ri Penal mëtohet se është udha drejt Bashkimit Evropian i sistemit të ri të Drejtësisë. Më saktë: Kali i Betejës së Shqipërisë për BE dhe krenaria e mbetur e Ramës përballë realitetit të hidhur të demokracisë në vend. Për publikun në mënyrën sesi e kanë përballur personalitete dhe grupe interesi, të cilët shërbejnë si indikatorët e parë të cilësisë, është më shumë se shqetësues. Drafti i ri i Kodit Penal i prezantuar nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, më 25 korrik 2025 dhe i referuar nga z. Rakipi, pretendon ta zëvendësojë cilësisht Kodin e vitit 1995. Si mbrojtje të parë, hartuesit e këtij drafti pretendojnë se kjo ndërmarrje është pjesë e reformave të detyrueshme të integrimit evropian dhe përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian (acquis communautaire). Por masa e tij deri tani tregohet shumë zhgënjyese. Janë qindra nene që duhen konsultuar, ndërsa përditë referohen problematika te Kodi i ri Penal. Në njërën syresh, p.sh. mëtohet ta dekriminalizojë shpërdorimin e detyrës duke e cilësuar thjesht si kundërvajtje penale. Kur mendon që kjo “kundërvajtje” është kancer për vendin atëherë bindesh se Kodi Penal ka nevojë për thellime. Ndërkohë që “shpërdorimi i detyrës” konsiderohet deri më tani një vepër penale dhe kjo i ka trembur deridiku kundërvajtësit që nuk mungojnë. Shqipëria ka nevojë ulëritëse për përballjen e drejtë të individit me pronën dhe sidomos ata që kanë shpërdoruar, tjetërsuar ose kanë pushtuar me vetëdije prona, që të përballen para një ligji të ashpër. Ky është një nga problemet themelore, kur mendon të vdekurit e shumtë dhe malin me dosje në gjykata. Mos të kalosh tek media, që e bën anemike dhe pa zë përballë pushtetit, pa marrë parasysh se edhe tani në këto dekada demokracie po bjerret për herë e më tepër. Dhe duke vazhduar me shumë e shumë problematika që tregojnë se hartuesit e njohin pak realitetin shqiptar dhe lënda duket si e përkthyer por jo e krijuar nga studime me analiza mirëfilli shkencore. Janë kushedi sa e sa nene që kanë pasur një përballje të ashpër nga specialistë dhe që nga Kryeprokurori i vendit dhe duke vazhduar me Kryetarin e Avokatëve dhe specialistë të tjerë që vazhdojnë të referojnë se ky kod mbart shumë probleme.
Një Kod Penal tregon referimin dhe reagimin e një shoqërie, në një kohë të caktuar, përballë të keqes dhe gabimit që do të thotë se për të duhet të mobilizoheshin përveç juristëve dhe antropologët, sociologët, mësuesit, Akademia e Shkencave, matematicienët (për ndërtimin e variableve të ndryshme), specialistëve të fushave të ndryshëm të policisë, ekonomistët, politikanët etj. Do të ishte ky korpus që të tregonte nivelin intelektual të vendit në dekadën e tretë të shekullit XXI dhe referimin real se cilat penalitete e dëmtojnë më së shumti Shqipërinë dhe hierarkinë e tyre.