Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tashmë do të përballet në gjyq me aferën Partizani, u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje. Me një grusht militantësh, kreu i PD, vijoi sulmet ndaj drejtësisë, duke shigjetuar sërish kreun e SPAK, Altin Dumani, si edhe gjyqtaren që caktoi masën e sigurisë ndaj tij, Irena Gjokën.
Duke e quajtur Dumanin peng të verbër të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Berisha e akuzoi për mosveprim për krimin mjedisor në landfillin e Elbasanit.
“Qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti. Ky krim i rëndë mjedisor, sikundër krimi i rëndë ciklik mjedisor në Vlorë, nuk ekziston për Altin Troplinin, paçka se ligji, krimet mjedisore ia kërkon këtij institucioni sepse i ka shpallur krime të rënda.
Pra, ky mercenar i Edi Ramës, ka vendosur institucionin në funksion fund e krye të partisë së krimit dhe të qeveritarëve të krimit. Të digjen fusha e plehrave në Vlorë çdo 3 muaj, të marrin vlonjatët gjer dhe dioksinë mund të ketë në ato plehra dhe mund të krijohet nga djegia. Pa diskutuar pastaj efektet e mirëfillta kancerogjene nga djegiet, të gjitha këto nuk ekzistojnë sepse ky është një peng i verbër i Edi Ramës dhe Ulsi Manjës”, tha Berisha.
Ndërsa seancën e parë të gjyqit të Partizanit arriti ta shtyjë me manovrat përmes fletëthirrjes, Berisha para SPAK tha se nuk u paraqit në sallën gjyqësore sepse ishte në një udhëtim.
“Unë njoftim zyrtar, siç duhet, nuk kisha marrë, por nuk ishte ajo arsyeja. Arsyeja ishte se, unë isha në një udhëtim, siç mund ta keni marrë vesh. Por, e vërteta është se, njoftimi zyrtar nuk kishte ardhur”, tha Berisha.
Berisha zbuloi edhe mesazhin që ka lënë në SPAK. “Altin Troplini me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore, këto dy të fundit fund e krye qeveritare,dëshmon se pas Ramaduros është de facto përgjegjësi më kryesor, delinkuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri”, tha Berisha duke sulmuar edhe Gjokën, të cilën e quajti “llumi i drejtësisë”, ndërsa aludoi se para një javë është hapur një çështje gjyqësore ndaj saj.
Seanca e parë në themel për dosjen Partizani u shty pasi Berisha nuk u paraqit, ndërsa e radhës do të mbahet më 21 korrik. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.