“Një shekull më parë, intelektuali Islam Vrioni botoi të parin dhe të vetmin periodik të Beratit nën titullin “Mbrojtja kombtare”. Pinjoll i një prej familjeve më me ndikim të zonës, ai u rrit që në hapat e parë me gjuhën shqipe, në një ambient familjar patriotik.
Babai i tij mundësoi çeljen e një klase të mësimit të shqipes, të cilën e mbajti rilindasi Babë Dud Karbunara. Do të ishte po kjo familje dhe Islam Vrioni që vite më vonë, më 1908, do të mëkonin hapjen e shkollës së parë shqipe të Beratit.
I studiuar në Stamboll, me diplomën e shkencave politike në dorë, Vrioni iu bashkua kryengritësve shqiptarë si zëvendëskryetar i kryengritjes së jugut e më tutje komandoi trupa vullnetare për t’u bërë ballë pretendimeve për aneksim të territoreve shqiptare. Ishte njohës i thelluar i persishtes, turqishtes, arabishtes, frëngjishtes dhe greqishtes. U shua në vitin 1941, pasi trajtoi mjaft tema filozofike në faqet e revistës “Zani i naltë”.” – shkruan në fb ministri Pirro Vengu.