Bashkia e Shkodrës vijon me aksionin për lirimin e hapësirave. Kryebashkiaku Benet Beci thotë se kanë identifikuar 41 pika kritike nëpër rrugët e qytetit, ku ndërtimet e ngritura kanë krijuar probleme me qarkullimin në rrugë, sidomos të mjeteve zjarrfikëse.
Strukturat e bashkisë kanë ndërhyrë sot në njërën prej rrugëve, pranë kryqëzimit të spitaleve.
“41 pika kritike janë identifikuar në qytet, ku ndërtime të ngritura prej mbi 30 vitesh bllokojnë hyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Sot strukturat e Bashkisë ndërhynë në njërën prej tyre, pranë kryqëzimit të spitaleve, ku jo vetëm që mungonte hapësira për raste emergjente, por edhe banorët hasnin vështirësi në qarkullim.
Paralelisht me lirimin e hapësirave publike do të vijojnë ndërhyrjet edhe në këto zona problematike, për t’i çliruar dhe për të shmangur çdo rrezik për qytetarët.”, thekson Beci.
Aksioni për lirimin e hapësirave vijon prej ditësh, ndërsa kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të ketë monitorime edhe me dron.