Deputetja demokratike Jorida Tabaku ka kritikuar aksionin e ndërmarrë prej disa ditësh të prishjes së objekteve pa leje në Theth në kulmin e sezonit turistik. Në një reagim në rrjete sociale, deputetja thekson se ndërtimet e konsideruara pa leje janë ngritur në sytë e pushtetit vendor e qendror, por tani banorët përballen me goditje selektive e të njëanshme.
Sipas saj, situata e krijuar është pasojë direkte e “Paketës së Maleve”, që ajo e cilëson si Kali i Trojës i qeverisë për veriun e Shqipërisë.
“Pas kriminalizimit të ndërtimit tashmë e ka radhën kriminalizimi i turizmit. Ajo që po ndodh në Theth me bizneset e turizmit nuk ka as emër dhe as arsye e justifikim tjetër përveçse se Paketa e Maleve. Paketa e Maleve erdhi me një propagandë dhe bujë të jashtëzakonshme. Përpara fushatës elektorale ka qenë një nga ligjet e fundit që është miratuar me justifikimin që do t’i japë zgjidhje të gjithë problemeve të trojeve në veri të vendit. Ndërkohë që kjo është kthyer sot në burim konflikti me bizneset e ligjshme atje.
Në mes të sezonit turistik, pa qenë nevoja t’i shkatërronte sezonin atyre banorëve por edhe veriut të vendit, qeveria është duke ndërmarrë aksion për të prishur ndërtime që janë kohë që janë atje, që janë ndërtuar nën hundën e pushtetit, lokal, të mazhorancës socialiste, të IKMT dhe u kujtuan tashmë në mes të sezonit që duhen prishur. Paketa e maleve është Kali i Trojës së qeverisë. Ligji i Investimeve Strategjike në turizëm, tashmë i zbatuar në turizmin malor. Ligji i investimeve strategjike nuk solli asnjë risi, përveç dy investitorëve të huaj në Shqipëri. E njëjta gjë do të ndodhë me paketën e maleve që sot po shkatërron turizmin verior të Shqipërisë.”, u shpreh ajo.