Në kohët e lajmeve me një klik, të kontrasteve mes lumturisë dhe problemeve, ndërsa smartphone-t e miliarda “gazetarëve” të improvizuar fokusojnë fëmijë e të rritur në çdo cep te globit, nga luftërat tragjike, sëmundjet, varfëria, te luksi ekstrem, hareja, festat, pjatat plot e pjatat bosh, në gjithë pasqyrën njerëzore të rrjeteve sociale, janë disa prej nesh që shfaqin gëzim edhe në situatat më ekstreme. Si ka mundësi? Sa i duhet një njeriu për të qenë i gëzueshëm me sa e rrethon dhe pavarësisht nga sa e rrethon?

Profesor Vito Mancuso është një filozof dhe teolog italian që studion sjelljet njerëzore në kohët moderne. Ja si e shpjegon ai ndryshimin mes Lumturisë dhe Gëzimit në kontaktin tonë të përditshëm me Pafundësinë. “Kriteri mbi të cilin kuptohet nëse jeta juaj ju përmbush, bazohet tek gëzimi. Vini re që nuk përdora fjalën “lumturi”, – shkruan filozofi. Lumturia është një emocion. Gëzimi është një virtyt: Është diçka që mund të ndërtojmë, që nuk varet nga të tjerët, nuk varet nga rrethanat dhe nga ndodhitë; është një ekzistencë, është si një refren i jetës. Edhe nëse nuk jemi të lumtur, pasi nuk kemi asnjë arsye, pavarësisht kësaj, mund të ndjejmë që brenda, pikërisht në kraharorin tonë, në vendin më të thellë dhe intim përmes të cilit jemi në kontakt me pafundësinë – në gjoks, ku ndjehet ajo ngrohtësi – aty ndodhet gëzimi. Ai është udhërrëfyesi ynë për t’i dhënë vlerën e duhur ekzistencës sonë”, përfundon ai në shpjegimet e shkurtra e të qarta që bën shpesh në rrjetet sociale.

Pa e ditur, njerëz të gëzueshëm pavarësisht rrethanave dhe gjithçkaje, kanë ngjallur tek unë një magnetizëm të natyrshëm dhe një kuriozitet për t’i kuptuar më shumë se çdokënd tjetër. Si arrihet gëzimi kur nuk ka për t’u gëzuar?

Besimi, filozofët, poetët, shkrimtarët, mësuesit shpirtërorë, rreth këtij misteri, na kanë ofruar më të mirën. Atëherë, verë të gëzueshme, me një libër të mirë në dorë!