Milani pësoi një humbje minimale 1-0 në miqësoren ndaj Arsenalit, e zhvilluar të mërkurën në Singapor. Miqësorja e luksit u vendos nga goli i shënuar nga Bukayo Saka në pjesën e dytë. Trajneri i kuqezinjve, Massimiliano Allegri, është shprehur i kënaqur me atë që skuadra e tij tregoi në fushë.

Tekniku italian theksoi se për 60 minuta, ekipi i tij u përball në të njëjtin nivel me skuadrën londineze dhe vlerësoi sidomos angazhimin në fazën mbrojtëse dhe paraqitjen e Leaos.

“Ishte një test i mirë kundër një prej skuadrave më të forta në Europë. Jam i kënaqur me atë që pashë, edhe pse kemi vetëm 15 ditë që kemi nisur përgatitjet. Po rrisim nivelin e sakrificës në fazën pa top dhe kjo është shumë pozitive”, deklaroi Allegri pas ndeshjes.

Trajneri theksoi se ndonëse rezultati nuk ishte pozitiv, objektivi kryesor është përgatitja sa më e mirë për sezonin e ri.

“Leao bëri një paraqitje shumë të mirë, jam i kënaqur me formën e tij. Është e qartë që kemi humbur dhe nuk mund të jem plotësisht i kënaqur, por për momentin, më e rëndësishme është të ndërtojmë ekipin dhe të përgatitemi për ndeshjet zyrtare”, përfundoi Allegri.

Milani pritet të zhvillojë edhe disa miqësore të tjera gjatë turit përgatitor, për të qenë sa më gati në startin e Serie A.