Të gjithë qytetarët që kanë një ankesë për tejkalim të kompetencave nga një efektiv policie, gardist apo zjarrfikës, tashmë kanë në dispozicion një platformë online për denoncimin e tyre në kohë reale. Në aplikacionin “Agjencia Digjitale”, gjithsecili mund të bëjë një denoncim, duke e shoqëruar me prova filmike dhe foto.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndërtuar dhe vënë në funksion një aplikacion të ri mobil me emrin “Agjencia Digjitale”, që u ofron qytetarëve një mjet të ri, të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë për të raportuar çdo shkelje apo abuzim nga ana e punonjësve të policisë, gardës së republikës, po ashtu dhe zjarrfikësit, pra tre autoritete që monitorohen nga kjo agjenci”,tha ministri Ervin Hoxha.
Aplikacioni është i thjesht në përdorim, aksesohet në 2 platformat kryesore, sistemet IOS dhe Android. Në fushat që ofrohen për t’u plotësuar janë edhe detajet e identifikimit të denoncuesit, por jo në mënyrë të detyrueshme.
Pra, është një proces i thjeshtë, i sigurt dhe i besueshëm, duke garantuar gjithashtu ruajtjen e plotë të anonimatit për çdo qytetar që zgjedh të mbetet i paidentifikuar”, u shpreh Florian Sulejmani, drejtuesi i AMP.
Ky nuk është një format aplikacioni krejtësisht i ri. 10 vite më parë, “Komisariati Digjital” ishte një risi që u përdor për denoncim nga qytetarët. Ministri Hoxha, nga prezantimi i aplikacionit të AMP-së bëri me dije se i radhës për t’u rivitalizuar është edhe aplikacioni i vjetër.
“Në të njëjtën frymë dua të nënvizoj sot nga kjo foltore se edhe Policia e Shtetit është në fazën e punës për rivitalizimin e platformës së Komisariatit Digjital, e cila këtë vit mbush një dekadë të plotë nga krijimi i saj”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
“Komisariati Digjital”, i prezantuar në 2015-ën bëri shumë bujë në atë kohë, duke sjellë me qindra denoncime nga qytetarët. Megjithatë, prej sulmeve kibernetike të Iranit të disa viteve më parë, u vendos të mbyllej përkohësisht. Burime pranë Ministrisë së Brendshme thonë se aplikacioni po ripunohet bashkë me AKSHI-në, duke u përshtatur me teknologji të re dhe do të jetë në funksion brenda pak muajsh.
Aplikacioni “Agjencia Digjitale” do të ketë primare denoncimet kundrejt institucioneve të sigurisë. Por, nëse qytetarë të ndryshëm, përmes tij, denoncojnë raste të parkimeve të gabuara, ndërtime pa leje, apo qoftë edhe konflikte të ndryshme, rastet nga AMP do t’u referohen komisariateve apo drejtorive përkatëse.