Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani kanë edhe pak orë kohë ta zgjidhin krizën mes tyre se cili do të marrë mandatin e parë dhe të vetëm në qarkun e Tiranës. Pasi të gjitha ankimimet e Partisë Demokratike janë ezauruar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të bëhë “detyrën” dhe të shpërndajë mandatet. Por i vetmi problem është mandati i ‘Nismës Shqipëria Bëhet’.

Për këtë çështje, “Report Tv” ka mësuar se KQZ ka vendosur t’i japë edhe pak kohë të rinjve në politikë, kjo sepse Endri Shabani nuk është fare në vendin tonë dhe ka paralajmuar se do të kthehet këtë të shtunë. Pasi Shabani të kthehet do të diskutohet për mandatin, të cilin e rrezikon edhe Zeqir Kordhoni. Kjo sepse para tij në listë është Ana Dajko, e para në listën e mbyllur. 60-vjeçarja me arsim të mesëm, jeton në Sarandë dhe është nëna e anëtarit të kryesisë së Partisë së Lapajt, Vasil Dajko.

Për më tepër, burime pranë Partisë “Shqipëria Bëhet”, i thanë Report Tv, në mënyrë që në Kuvend të mos futet as Livia Savri, partnerja e Endri Shabanit. Kështu në këtë gjithë këtë konflikt të krijuar, është Lapaj ai që ka avantazhin dhe asin nën mëngë.

Për të gjithë këtë situatë të krijuar, ka reaguar edhe Dashnor Sula shprehet se të njëjtin fat do të kishte pasur dhe ai nëse do t’i ishte bashkuar koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

“Kur do t’i bësh gropën tjetrit dhe bie vetë”, kjo është ajo që po ndodh me Adriatik Lapajn, të cilin e paralajmërova për një skemë të tillë, kur më tha se kandidatët në listë të mbyllur në Elbasan do të jepnin dorëheqjen nëse unë do të kandidoja në këtë qark për subjektin që ai përfaqëson. Në atë kohë i kërkova zotit Lapaj që në listë të mbyllur të vendosja një familjarin tim dhe ai/ ajo të jepte dorëheqjen pasi të fitoja në listë të hapur. Zoti Lapaj kërkonte që unë të besoja te ajo që sot po e lë atë jashtë parlamentit të Shqipërisë. Kjo tregon se partitë e reja kanë mëndësitë e partive të vjetra…,”-shkruan Sula.

Si ka nisur “ëndrra” për mandat?

Debati nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik që do të zgjidhet vetëm në KQZ.