Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë për kreun e pezulluar të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Igerta Hysi, e cila ka rrëzuar kërkesën e Myzyrit për heqjen e masës “pezullim nga detyra” dhe “detyrim për t’u paraqitur”.

Kësisoj, Myzyri mbetet i pezulluar nga funksioni dhe i detyruar të paraqitet rregullisht pranë autoriteteve ligjzbatuese.

Çështja ndaj Jonaid Myzyrit lidhet me hetime që po zhvillohen për procedura të dyshuara abuzive në fushën e prokurimeve publike, më konkretisht për tenderin 2.3 mln euro të mirëmbajtjes së rrugës Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km, ku sipas hetimeve ka rezultuar se pas ndërhyrjes së tij tenderi iu dha kompanisë me ofertën më të lartë, bashkimt të operatorëve ekonomikë “AEK Munella – Drini?1”.