Argita Malltezi ka reaguar pas një deklarate të gazetarit dhe analistit Baton Haxhiu, për korrupsionin e saj dhe të vëllait të vet, Shkëlzen Berishës, gjatë kohës që babai i tyre ishte kryeministër.
“Dje, Baton Haxhiu, mjelësi i parave të shqiptarëve nëpërmjet inceneratorëve dhe parave të korrupsionit të Edi Ramës, njësoj si Adriatik Doçi e Karlo Bollino, kreu shërbimin e radhës ndaj Ramës duke më akuzuar mua për korrupsion, për të cilin, në mungesë të provave, iu drejtua bisedave të tij me zogjtë në pemë.
I them z. Haxhiu të vijojë bisedat e tij me zogjtë dhe të mbledhë prova për t’i paraqitur në gjykatë ku do të ftohet të provojë deklaratat e tij, sa senile po aq edhe të pabaza.
Haxhiu nuk përmendi asnjë rast për korrupsionin, që shqiptarët të dinin për çfarë e kishte fjalën, sepse edhe ai e di që deklaratat e tij janë fund e krye gënjeshtra.
Por kur paratë e inceneratorëve dhe pagesat e Ramës të zënë sytë dhe veshët, si dhe kur erzi njerëzor të ka humbur që prej kur në Hagë u prezantove si aset i UDB-së, nuk të intereson më ç’të nxjerr goja, e shfaqjen e senilitetit e ha me bukë.
Në fakt, jo ushtar Haxhiu, por fenomeni i gjobëvënies Haxhiu, Doçi, Bollino e kompani, janë shoqëruesit simbiotikë të narkoshtetit të Ramaduros, që ditën fryhen me para publike dhe natën mashtrojnë për llogari të pagatorit të tyre dhe për të kamufluar krimet e këtij të fundit”, thotë Argita Malltezi në reagimin e saj.
“Nuk po them sa i korruptuar është Berisha, por që vajza dhe djali i tij kanë bërë namin, këtë e dinë edhe zogjtë në degë… Po flasim për një strukturë të organizuar që ka ndërtuar fuqinë përmes një njeriu që ka qenë në pushtet. Nuk mund të mohojmë këtë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Shkëlzen Berisha dhe Argita. Argita ka patur numrin aq të madh të firmave që pagunian fee (tarifë) për tu mbrojtur nga ajo dhe ku, si u bë dikush që sapo kishte formuar firmën e drejtësisë në vitin 2005, të kishte kaq biznese për ti mbrojtur? Si është e mundur kjo?
Sistemi i drejtësisë sot është krijuar prej Berishës, ose sistemit të Berishës. Fakulteti i Drejtësisë, sistemi i drejtësisë, Prokuroria, e të tjera, nuk ka mundur askush të kalojë pa nënshkrimin e Argitës. Ka qenë proces korruptiv serioz, i pavërejtshëm sepse ka të bëjë me ekselencën akademike dhe gjysmë politike. Sistemi i drejtësisë që është prodhuar nga Fakulteti i Drejtësisë, ka qenë i kontrolluar krejtësisht nga familja Berisha. Nuk mund ti harrojmë këto referenca.
Që nga viti 2004 deri në vitin 2013 ose edhe më vonë në 2015 që ka vazhduar, që sistemit i drejtësisë ka qenë krejtësisht i kontrolluar, proceset gjyqësore që kanë qenë në këtë sistem gjatë kohës së Berishës, nuk kanë mundur të kalojnë pa një pullë ku njerëzit e familjes Berisha kanë thënë se si duhet të kalojë procesi, ata kanë vendosur. Kurrë sistemi i drejtësisë nuk ka qenë më korruptiv se në këtë periudhën, 2005-2015. Madje edhe sot ne kemi pasojat e saj. Kemi miliona referenca”, tha ndër të tjera Baton Haxhiu në emisionin “Të Paeksopozuarit”, çka solli reagimin e Argita Malltezit.