Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një tjetër fjalim në Asamblesë Parlamentare të OSBE, që zhvillohet në Porto të Portugalisë, ku sërish ka sulmuar Shqipërinë. Pas difatës së thellë në zgjedhje, Berisha po vijon me ‘fushatën’ për nxirjen e vendit tonë në sy të ndërkombëtareve.

Edhe në këtë fjalim, njëjtë si dje, ai kujdeset që ta quajë Shqipërinë si narkodiktatura e parë dhe e vetme në Europë. Sipas tij, 45% e popullatës është larguar në 10 vjet dhe arsyeja e vetme është narkodiktatura.

“Në kontekstin demografik, Shqipëria ka pasur zhvillimet më dramatike në periudhën 2014–2024. Gjatë kësaj kohe, kombi im ka humbur më shumë njerëz sesa çdo komb tjetër, madje edhe nga vendet në luftë, apo në konflikte civile rajonale ose botërore.

45% e shqiptarëve kanë lënë Shqipërinë gjatë këtyre 10 viteve. Sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të zones Shengen. Dhe këtu nuk përfshihen ata që kanë ikur në vende apo rajone të tjera. Nëse u referohemi disa organizatave të tjera ndërkombëtare, studimet e tyre janë jashtëzakonisht dramatike në lidhje me Shqipërinë. OKB njoftoi disa muaj më parë se Shqipëria është vendi me rënien më të madhe të lindshmërisë në botë, për shkak të emigracionit. Statistikat e vendit tim tregojnë se shkalla e lindshmërisë sot është aty ku ishte para 100 vitesh.

Pse një goditje kaq shkatërruese demografike? Arsyeja kryesore është: narkodiktatura. Siç e theksova më parë, Shqipëria është narkodiktatura e parë dhe e vetme në Europë. Dhe fatkeqësisht, kjo nuk njihet ende mirë si një fakt”, tha Berisha.

Një narkorritje e quan Berisha rritjen ekonomike të Shqipërisë, ndërsa tha se indeksi i ndërtimit në Tiranë është tre herë më i lartë se mesatarja e indeksit të ndërtimit në BE. Dhe sipas tij, kullat janë monumente të drogës dhe korrupsionit

“Kushdo që do të shohë ekonominë shqiptare, do të shohë që ajo rritet vit pas viti me 3%. Është një rritje e respektueshme. Por çfarë është kjo rritje? Është një narkorritje. Pse? Është narkorritje sepse prodhimi industrial, në 5 vitet e fundit, ka rënë vit pas viti. Po ashtu edhe prodhimi bujqësor, apo sektorë të tjerë. Por ka një sektor që mban normën më të lartë të rritjes në Europë, që është ndërtimi. Nëse shihni Eurostat, do të gjeni që indeksi i ndërtimit në Tiranë është tre herë më i lartë se mesatarja e indeksit të ndërtimit në BE. Këto janë ndërtime të narkotrafikut. Të gjitha këto kulla janë monumente të drogës dhe korrupsionit. Nëse shihni Euron, është Euro e narkotrafikut. Monedha europiane në Shqipëri është zhvlerësuar 35–38%. Kjo ka vrarë qindra e qindra ndërmarrje eksportuese, sepse narkoEuro hyn në vend përmes kontejnerëve, përmes të gjitha mjeteve, dhe 80% e investimeve në sektorin e ndërtimit nuk vijnë nga bankat, por nga nëntoka. Ky proces drejtohet personalisht nga narkodiktatori, i cili ka krijuar një sindikatë me kartelet e drogës dhe u jep atyre çdo mundësi dhe liri për të pastruar paratë në vendin tim”, tha Berisha.