Video e Bardhës, shitëses së njohur të tregut të perimeve në Sarandë që debatonte me Muçin përfaqësuesin e Bashkisë së Qytetit u bë virale. Kushdo që e pa u habit nga argumentimi i Muçit i cili pak më parë kishte pasur të njëjtin debat me Lutin, një peshkatar i cili prej dekadash me një varkë me kupi del në det dhe gjuan peshk me grep.
Argumenti i Muçit se si Bardha duhej të kishte qese me etiketë se nga dhe prej cilit Mal vinte rigoni ishte i njëjtë edhe për Lutin i cili duhej t’u vinte etiketë peshqve që kapte çdo ditë me fillo.
Po kështu edhe Rigoni i Malit edhe Peshku i kapur në det me grep duhet të kishin faturë tatimore. Që Bardha apo fshatarët e zonës kanë vite qe mbledhin në mal rigon, çaj, lakra të egra e kështu me radhë këtë e di gjithë qyteti. Këtë e di edhe Muçi që si rigonin si peshkun e freskët e blen te Bardha apo tek Luti.
Mirëpo dje Muçi i cili përfaqëson institucionin shtetëror kërkonte llogari përpara kamerave për një gjë që logjika e quan absurde.
Sot Tatimet me sa lexova në shtyp, e kishin quajtur pretendimin e Muçit për Rigonin dhe peshkun me fillo, të pa bazuar në Ligj dhe të pa argumentuar në asnjë urdhëresë apo vendim.
Në këtë mënyrë Muçi që përfaqëson Bashkinë e Sarandës duket se nuk di apo nuk ka lexuar Ligjin dhe në kundërshti si me logjikën e qytetarëve si me Ligjin e Tatimeve ju hakërrua kot edhe Bardhës edhe Lutit.
Në fakt performanca e Muçit në TV është një pasqyrë e qartë dhe realiste e injorancës dhe pa aftësisë totale të administratës sonë. Prandaj i sugjeroj z.Muçi se si një punonjës në Bashkinë e Sarandës duhet të lexojë Ligjin dhe pas kësaj do ishte e udhës që t’i kërkojë një ndjesë të madhe si Bardhës ashtu edhe Lutit, rigoni i malit edhe peshku i detit.