Nga Eduard Zaloshnja

Në fund të qershorit, numri i automjeteve të regjistruara në Shqipëri e kaloi shifrën 1 milion. Krahasuar me 2005-ën, kemi trefishim të automejeteve të regjistruara me targa shqiptare (për të mos llogaritur automjetet që qarkullojnë në rrugët e vendit me targa të huaja).

Por a janë trefishur vdekjet rrugore? Përkundrazi, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ato ishin sa 1/3 e gjashtëmujorit të parë të vitit 2005!

Dhe si ka mundësi që vdekjet rrugore të jenë super-reduktuar, kur numri i automjeteve është trefishuar?

Për t’iu përgjigjur pyetjeve si kjo, kam zhvilluar mbi 60 studime shkencore në SHBA. Por këtu është e pamundur të gjej të dhëna të detajuara, për të kryer një studim të ngjashëm. Sidoqoftë, nga përvoja me studime të tilla, mund të bëj disa hamendje shkencore rreth super-reduktimit të vdekjeve rrugore

· Rrugët dhe sinjalistika rrugore janë përmirësuar ndjeshëm në dy dekadat e fundit

· Flota e automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit është modernizuar, duke mbizotëruar automjete me siguri më të lartë për pasagjerët (me strukturë, airbags dhe rripa sigurie më të sigurta)

· Kodi Rrugor ka ndryshuar, për të ndëshkuar më rëndë ata që përdorin alkolin dhe celularin gjatë drejtimit të automjetit, apo ata që nuk përdorin rripin e sigurisë gjatë udhëtimit në automjet.

· Policia Rrugore e ka rritur ndjeshëm kontrollin për zbatimin e Kodit Rrugor

· Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit i kanë intensifikuar fushatat e ndërgjegjësimit të opinionit publik, duke publikuar shpesh rezultatet e aksioneve në terren kundër shkelësve të Kodit Rrugor dhe të pasojave që mund të sjellin ata.

SHËNIM: Nga 2005-a, sasia e karburantit të zhdoganuar nuk është trefishuar (siç është trefishuar numri i automjeteve të regjistruara) – thjesht është rritur disi. Nejse, kjo është një çështje që duhet ta hetojë SPAK-u, nuk është çështje shkencore…