Avokatët e Veliajt kërkojnë nga SPAK zgjatjen e afatit 10‑ditor për njohjen me provat: “Cenim thelbësor i së drejtës për mbrojtje efektive dhe një proces të rregullt ligjor”

Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i kanë drejtuar prokurorëve të SPAK-ut një kërkesë për zgjatjen e afatit deri më 24.09.2025 për njohjen me përmbajtjen e plotë të akteve dhe provave mbi të cilat ngrihet akuza.

Në kërkesën e tyre, ata shpjegojnë se, për shkak të volumit jashtëzakonisht të madh të materialeve hetimore, kryebashkiaku dhe mbrojtja e tij ndodhen në pamundësi objektive për të përvetësuar në mënyrë efektive të gjitha provat dhe aktet brenda afatit 10‑ditor të parashikuar nga neni 327, pika 4 e Kodit të Procedurës Penale.

Avokatët theksojnë se ky afat nuk mjafton as për një lexim të thjeshtë, pa analizë profesionale apo përpunim juridik të dokumentacionit.

“Kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë (prokuroria ka pasur 2 vite në dispozicion), ashtu si garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur”, thuhet në kërkesë. Ata shtojnë se situata rëndohet nga periudha e punës së reduktuar gjatë muajve korrik–gusht për organet e drejtësisë.

“Ky disproporcion mes afatit procedural dhe volumit të materialeve është një cenim thelbësor i së drejtës për mbrojtje efektive dhe për një proces të rregullt ligjor, që e zhvlerëson garancinë procedurale që Kodi i Procedurës Penale dhe Konventa synojnë të mbrojnë. Një lloj ‘përmbytjeje dokumentare’ është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar të papranueshme kur volumi i materialeve i bën të pavlefshme në praktikë garancitë procedurale që duken formalisht të respektuara”, vlerësojnë avokatët.

Në fund, ata theksojnë se kërkesa e mbrojtjes përputhet me vendimin e prokurorëve për përfundimin e afatit hetimor më 24.07.2025. Sipas tyre, zgjatja e këtij afati jo vetëm që nuk cenon interesin publik për ndjekjen penale, por përkundrazi i shërben zbatimit më të mirë të parimeve kushtetuese të barazisë së armëve, procesit të rregullt ligjor dhe të së drejtës për mbrojtje efektive.