Vendimi i Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të ekipit të tij ndërkombëtar ligjor, i cili e konsideron këtë vendim të paligjshëm dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut.

Sipas deklaratës së shpërndarë nga përfaqësuesit ligjorë të Veliajt, dëgjesa me dyer të mbyllura u zhvillua më 8 korrik, ora 12:00, ndërsa vendimi u shpall një ditë më pas. Veliaj vazhdon të mbahet në paraburgim në IEVP Durrës, ndonëse ndaj tij nuk është ngritur ende një akuzë zyrtare, çka sipas avokatëve përbën shkelje të rëndë të procesit të rregullt ligjor.

“Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit,” deklaroi Daniel Fetterman, ish-prokuror federal në SHBA dhe partner në firmën ndërkombëtare ligjore Kasowitz LLP.

Sipas ekipit të tij, Veliaj është privuar prej muajsh nga kontakti me avokatët ndërkombëtarë dhe ndodhet në izolim të plotë, pa akses në dokumentacionin e nevojshëm për mbrojtjen e tij ligjore.

Vetë Veliaj, përmes një deklarate nga burgu, është shprehur i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Lartë:
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është jashtëzakonisht zhgënjyes. Sot, unë duhet të isha një hap më pranë kthimit në shtëpi, pranë familjes sime. Por, në vend të kësaj, ndodhem i burgosur dhe në izolim në IEVP Durrës, në pamundësi për t’u takuar me këshilluesit e mi ligjorë ndërkombëtarë apo për të pasur informacionin e nevojshëm për të mbrojtur veten. Unë do të vijoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që t’i shërbej përsëri Tiranës.”

Edhe avokati britanik Ben Brandon, partner në firmën e njohur Mishcon de Reya, ngriti shqetësime të forta mbi vendimin:
“Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (‘ECHR’) i ndalon burgosjet arbitrare, dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar që mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”

Raporti i përbashkët i përgatitur nga Kasowitz LLP dhe Mishcon de Reya, që dokumenton rastin dhe argumenton shkeljet ligjore në arrestimin e Veliajt, është tashmë i disponueshëm publikisht.

Të dy firmat konfirmuan se do të vazhdojnë të ndjekin “fuqishëm të gjitha mjetet e mundshme ligjore ndërkombëtare” për të kërkuar drejtësi në emër të Kryebashkiakut të Tiranës.