Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me anëtarët më të rinj të Grupit Parlamentar Socialist në kuadër të “Akademisë Politike – Deputetët e Rinj”.

Takimi u zhvillua në një atmosferë pune dhe diskutimi, në kuadër të përgatitjes së brezit të ri të përfaqësuesve në Kuvendin e Shqipërisë. Iniciativa e “Akademisë Politike” synon të fuqizojë rolin e deputetëve të rinj përmes formimit dhe përfshirjes aktive në agjendën legjislative.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi rëndësinë e mandatit të marrë në zgjedhjet e 11 majit, duke e konsideruar rezultatin prej 83 mandatesh si një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer.

Ai u bëri thirrje deputetëve të rinj që të mos shkëputen nga komunitetet, por të jenë gjithmonë pranë njerëzve të zakonshëm dhe diasporës shqiptare.

“Populli shqiptar na besoi 83 mandate, të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer. Në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet kudo, por duke i dëgjuar dhe punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe me diasporën’, tha ai.

Balla vuri në dukje se ky është rinovimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

‘Shpresa ime është që duke qenë se ky është rinovimi më i madh që ka pasur ndonjëherë grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Partia Socialiste e Shqipërisë ka qenë e vetmja forcë politike që qartazi e ka mbështetur pjesën e votës së diasporës. Keni hyrë në politikë ‘ëelcome to the club’ dhe si të tillë, duhet të jeni të përgatitur për çdo lloj kurthi’, tha ai.