Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla, ka pritur në një takim dy vëllezërit Marjo dhe Leo Caushi, sipërmarrës shqiptarë që veprojnë në shtetin e Miçiganit, SHBA. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka shprehur kënaqësinë për këtë takim, duke theksuar se vëllezërit Caushi janë aktivë në fushën e ndërtimit dhe energjisë së rinovueshme.
“Shumë kënaqësi të mirëprisja dy vëllezërit Marjo dhe Leo Caushi, sipërmarrës në Miçigan në fushën e ndërtimit dhe energjisë së rinovueshme, me plane konkrete që suksesin e ëndrrës amerikane ta zgjerojnë edhe në atdhe,” shkruan Balla.
Ky takim është në vazhdën e angazhimeve të Ballës për të forcuar lidhjet me diasporën shqiptare dhe për të inkurajuar investimet e tyre në Shqipëri, veçanërisht në sektorë strategjikë si ndërtimi dhe energjia e gjelbër.
Përveç planeve konkrete në sektorët strategjikë, vizita e vëllezërve Caushi është dëshmi e frymës së re që po fryn në diasporën shqiptare, një dëshirë për t’i kthyer sukseset personale në kontribute kolektive për zhvillimin e vendit. Për Ballën, ky është një shembull konkret i bashkëpunimit të qëndrueshëm mes diasporës dhe institucioneve shqiptare.