Bashkitë e vendit mund të përfitojnë nga ankandet e energjisë së rinovueshme.

Kështu deklaroi dje zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë dhe grantit për financimin të projektit për ndërtimin të parkut fotovoltaik të Belshit.

Balluku tha se “kemi kërkuar nga pushteti vendor identifikimin e tokave të pafrytshme për bujqësi dhe të papërdorshme për zhvillime urbanistike, të cilat do të vendosen në dispozicion për zhvillimin e ankandeve ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme”.

“Gjatë gjitha analizave që kemi bërë dhe gjatë gjithë studimit të territorit kemi arritur në përfundimin se të gjitha ato toka të pafrytshme të ndodhura në bashkitë e ndryshme të vendit duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike duke u bërë pjesë vetë kështu edhe vetë bashkitë në këto ankande”, theksoi Balluku.

E them këtë, vijoi Balluku, pasi shpesh herë na vijnë kërkesa për tokat të cilat merren me qira disavjeçare nga privatët në bashkitë e ndryshme të vendit ndërkohë që bashkitë nuk anë kapacitete për të ngritur ankande apo as kuadër mbi të cilin duhet të funksionojnë.

“Për këtë arsye në një bashkëpunim të plotë me të gjithë bashkitë e vendit kemi nisur një proces për të identifikuar ato prona, të cilat janë në regjistrat dhe inventarët e bashkive, të cilat nënvizoj janë të pafrytshme dhe nuk mund të kontribuojnë në sektorin bujqësor shqiptar apo për arsye të tjera zhvillimore”, nënvizoi Balluku.

Balluku u shpreh se “këto prona duhet të vendosen në dispozicion të Ministrisë së infrastrukturës dhe Energjisë, e cila me të gjithë kapacitetet teknike që ka, të gjithë eksperiencën dhe partneritetin e mirë që kemi me trupat ndërkombëtare në vend ne mund të arrijmë që të gjitha këto sipërfaqe të disponohen për ankandet ndërkombëtare me të gjithë certifikimin dhe transparencën që tashmë kemi krijuar, por duke bërë bashkitë e vendit partnerë në këtë proces dhe duke i dhënë atyre përfitimin që i takon dhe qytetarëve të bashkive përkatëse”.

Balluku tha se ky proces do të sjellë më shumë përfitime për qytetarët dhe Shqipëria do të jetë eksportues neto i energjisë brenda vitit 2030.